Rexhepi: PVD garanton legjitimimin e përfaqësimit të shqiptarëve në qeverisjen komunale në Bujanoc
Iniciativa e fundit e ministrit të jashtëm në detyrë të Shqipërisë, Gent Cakaj, në arritjen e marrëveshjes për unifikim të spektrit politik shqiptar, është hapi konkret për fuqizim të shqiptarëve në përfaqësim në institucionet qendrore, kështu vlerësoi Driton Rexhepi, anëtar i kryesisë së PVD-së.
Ai u shpreh për Titulli.com se duhet të koordinohemi në tërësi si me Tiranën ashtu edhe Prishtinën zyrtare duke vendosur interesat kombëtare përpara interesave partiake për realizimin e synimeve politike dhe interesave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Rexhepi deklaroi se kësaj here, janë më se të përkushtuar që ti grumbullojnë partitë shqiptare nën një ombrellë të përfaqësimit politik të shqiptarëve për tu fuqizuar kundrejt autoriteteve qendrore, si kundër që të implementohet parimi proporcional i përfshirjes në gjitha instancat e vendimmarrjes qoftë ato lokale, rajonale apo edhe qendrore.
Sipas tij kjo ide duhet të bisedohet në mënyrë serioze dhe të ndërtohet një unifikim i shëndoshë duke eliminuar kalkulimet personale dhe grupore.
Ndërsa duke folur për reflektimin e këtij uniteti në zgjedhjet lokale në komunën e Bujanocit, Rexhepi tha se PVD është për unifikim, sidomos këto moment dhe momentet që pritet të vendosin për të ardhmen e rajonit.
“Jemi shumë të interesuar që uniteti duhet të zhvillohet e të marrë formë edhe më gjithë përfshirëse, në gjitha sferat e interesave shqiptare. PVD-ja, mbetet shumë e interesuar që kjo filozofi politike të cilën e ka trasuar me dekada, ta shtrijë përkatësisht të pranohet edhe nga partitë e tjera të Luginës së Preshevës”, theksoi për Titulli.com, Driton Rexhepi.
Rexhepi vlerësoi se rëndësia e këtyre zgjedhjeve konsiston në faktin e legjitimimit të përfaqësimit të shqiptarëve në qeverisje komunale, të cilën e garanton Partia për Veprim Demokratik.
“Ajo që është me rëndësi jetike është që të sigurohet përfaqësimi institucional i shqiptarëve në këtë komunë, sepse po shihet qartë agjenda e Serbisë për përjashtimin nga çfarëdo lloj kalkulimi të kësaj komune”, tha Rexhepi./Titulli.com/