Rasti i Dobrosinit mbahet “top sekret”
"Edhe pse arrestimet kanë ndodhur në Gjilan ne nuk kemi asnjë informacion meqë bëhet fjalë për një vepër penale me rrezikshmëri të madhe, as policia nuk ka informacione", ka thënë Maloku për rajonipress.
Arrestimet e kryera nga EULEX-i për të shtënat në punktin e Dobrosinit para pak ditësh vazhdojnë të mbesin të "fshehura" dhe larg publikut nga EULEX-i, duke mos treguar asnjë informacion rreth këtij operacioni.
Edhe pse arrestimet janë kryer në territorin e Gjilanit as kryeprokurori i Qarkut, as Gjykata e as policia nuk kanë asnjë informacion zyrtarë se kush janë të arrestuarit, për çka bëhet fjalë dhe cili është efekti i këtij operacioni.
Kryeprokurori Jetish Maloku ndihet i anashkaluar në këtë rast.
“Ne jemi të zhveshur dhe të izoluar nga çfarëdo informacioni që lidhet me rastin e Dobrosinit. Edhe pse ngjarja është zhvilluar në territorin tonë unë asnjë lajm nuk e kam për këtë aksion. Krejt çka mund të them e di se bëhet fjalë për një vepër penale me shkallë të lartë të rrezikshmërisë që lidhet me terrorizëm” tha Maloku për rajonipress.Maloku tha se me rastin e Dobrosinit ka udhëhequr njësia antiterrorizëm nga Prishtina dhe krejt lënda është atje në EULEX.
Edhe zëdhënësi i policisë Ismet Hashani vetëm konfirmoi se rasti i Dobrosinit është udhëhequr nga Prishtina dhe se policia e Gjilanit nuk ka asnjë informacion rreth këtij operacioni.
Ndryshe policia e EULEX-it arrestimin e fundit që lidhet me të shtënat në Dobrosin e ka bërë më 16 tetor ku qenë prangosur tre persona të dyshuar se janë pjesëtarë të një organizate terroriste, e cila e ka marrë përgjegjësinë për tri sulme mbi Policinë e Serbisë në Dobrosin, afër Pikë-kalimit 5 - Dheu i Bardhë.
Sipas të vetmes komunikatë të EULEX-it dy persona dyshohet se kanë marrë pjesë në sulmin e fundit që ka ndodhur më 7 tetor 2012./Titulli.com/