Lokale
PVD pro koalicionit me serbët e Bujanocit
Gjatë një konference për shtyp të mbajtur sot në Preshevë, PVD është shprehur se mund të formojë koalicion me subjektet serbe për të udhëhequr me komunën e Bujanocit.
Këto komente i bëri Riza Halimi njeriu i parë i këtij subjekti politikë, i cili ka degën edhe në komunën e Bujanocit.
Ai gjatë konferencës theksoi se partitë politike shqiptare mund të formojnë koalicion me të gjitha subjektet që kanë fituar më shumë vota duke mos përjashtuar edhe ato serbe.
“Koalicionet mund të formohen, por jo vetëm në baza etnike”, u shpreh kryetari i PVD-së.
Halimi po ashtu u ndal edhe te zgjedhjet e zhvilluara në Preshevë ku PVD kishte humbur me rezultat të thellë kundrejt Partisë Demokratike Shqiptare të Ragmi Mustafës.
“Rezultati i dobët kërkon analizë të mirëfilltë të punës dhe të shtabit zgjedhorë si dhe të kryesisë së përgjithshme”, tha Halimi, duke shtuar se është pakuptueshme situata që PDSH nga 12 këshilltarë sa kishte më herët, të fitojë 17 në këto zgjedhje.
“Po ashtu nuk është aspak normale që udhëheqja e PVD-së në Bujanoc të marrë më së paku vota aty ku pushteti lokal investoi më së shumti si në Breznicë, në Bilaç dhe në Tërnoc ku u ndërtua shkolla monumentale”, tha Halimi.
Kryetari i PVD-së foli edhe për situatën e krijuar me arrestimet e fundit në komunën e Bujanocit, sidomos situata e krijuar dy ditë para zgjedhjeve të 6 majit.
“Arrestimeve që u bënë në komunën e Bujanocit ndikuan jashtëzakonisht tek shqiptarët pasi që u ushtrua një terror shtetërorë mbi familjet shqiptare, aq më tepër ndaj anëtarëve të kryesisë së PVD-së në Bujanoc, sidomos me arrestimin dhe dëmtimin brutal fizik ndaj vëllait të dëshmorit”, tha Halimi në konferencën e mbajtur sot në Preshevë./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!