Lokale
PVD nuk është e kënaqur, afër bojkotimit të bisedimeve me Beogradin
Takimi i zhvilluar të hënën mes sekretarit shtetërorë të Ministrisë së drejtësisë dhe administratës shtetërore Negjo Jovanoviq dhe liderëve politik të Luginës nuk ka dhënë rezultatet e duhura.
Pala shqiptare nga ky takim është ndarë e pakënaqur pasi që kërkesat e tyre nuk janë plotësuar.
Partia për Veprim Demokratik (PVD) tashmë ka dal hapur me mundësinë e lëshimit të këtyre bisedimeve.
Kryetari i degës së PVD-së në Bujanoc Shaip Kamberi në një prononcim për portalin JUGpress ka thënë se liderët shqiptar nuk kanë parë vullnetin e mirë që ministria të merret me kërkesat e tyre.
“Ne sot kemi paraqitur arsyetimet për ndryshime të cilat sot i ka paraqitur deputeti Riza Halimi edhe në Parlamentin e Serbisë, mirëpo nuk pam vullnetin e mirë të ministrisë që të merret me këto kërkesa”, është shprehur Kamberi, transmeton Titulli.
“Vendimi që Gjykata themelore të kthehet në Bujanoc nuk është i mjaftueshëm pasi nuk kemi kthyerje të Gjykatës themelore edhe në Preshevë, kur dimë se kemi komuna edhe me më pak banorë se Presheva të cilat kanë Gjykatën themelore.Nga ana tjetër, zgjidhja që i ofohet Bujanocit me kthimin e Gjykatës themelore por pa kthimin e prokurorisë, është e pamjaftueshme”, shprehet Shaip Kamberi.
“Kërkesat tona për një instanc më të lartë, Gjykatën e lartë në Bujanoc e Preshevë, nuk ka gjetë mirëkuptim nga ana e Ministrisë së drejtësisë”, ka thënë ai.
Kamberi ka sqaruar se PVD do të shqyrtojë pjesëmarrjen e mëtutjeshme në bisedime me Qeverinë e Serbisë.
“Do ta diskutojm në nivel të subjektit politikë se a do të marrim më pjesë në këto bisedime me Qeverinë e Serbisë”, ka përfunduar Kamberi.
Në takimin e së hënës kanë marrë pjesë të gjithë liderët e Luginës, me përjashtim të deputetit Riza Halimi i cili ishte në seancën parlamentare në Beograd.
Takimin e liderëve shqiptar me sekretarin shtetërorë të Ministrisë së drejtësisë dhe administratës shtetërore Negjo Jovanoviq, kryetari i Trupit Koordinues Zoran Stankoviq e ka vlerësuar të suksesshëm.
Ai ka thënë se me propozimin e rrjetit të ri të gjykatave “Bujanoci do të fitojë Gjykatën themelore ndërsa për Preshevën është paraparë Gjykata për kundërvajtje, kurse organet e ndjekjes penale do të jenë në Bujanoc”./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!