PVD: Materniteti mbetet i mbyllur edhe pas investimit të 150 milion dinarëve (Dokument)
Partia për Veprim Demokratik (PVD), pas debatit të mbajtur në sallën e Kuvendit Komunal të Preshevës, nën organizimin e zyrës së deputetit Riza Halimi, përmes një komunikate për media ka shprehur edhe njëherë shqetësimin për mos hapjen e maternitetit në Preshevës.Në këtë kumtesë të PVD-së ndër të tjera theksohet se “edhe pas investimeve prej 150 milion dinarë, materniteti vazhdon të jetë i mbyllur. Po vazhdon të mos punojë ky institucion shumë i rëndësishëm shëndetësorë edhe 25 vite pas mbylljes, edhe pse rikonstruimi shumë i kushtueshëm i objektit është kryer qysh në korrik të vitit 2013, kurse pajisjet në lartësi prej 250.000 euro u siguruan nga Delegacioni i Unionit Evropian në fund të janarit 2014”.
Me këtë rast në debatin e zhvilluar ishte rikujtuar se në solemnitetin e inaugurimit të objektit të maternitetit dhe kompletimit të pajisjeve, ishte caktuar 1 prilli i vitit 2014 si datë e fillimit të punës së maternitetit, ndërsa në korrik të vitit të kaluar inspeksioni shëndetësorë kishte dhënë lejen përkatëse të punës.
Andaj edhe ministri i shëndetësisë në përgjigjen me shkrim që i kishte dhënë deputetit konfirmonte atëherë se janë plotësuar të gjitha kushtet, madje se Shtëpia e Shëndetit në Preshevë disponon edhe me kuadër adekuat për të filluar punën materniteti.
“Mjerisht edhe gjashtë muaj pas kësaj deklarate të ministrit materniteti i kompletuar po mbetet i mbyllur!”, thuhet mes tjerash në kumtesën e PVD-së.
Gjatë diskutimit të këtij debati publik është konstatuar se objekti i ri i ndërtuar në shpejtësi për nevojat e praksës së përgjithshme, nuk i plotëson standardet minimale shëndetësore.
“Në përfundim të debatit u vendos që Shoqata e mjekëve të Luginës të përpiloj një dokument gjithëpërfshirës të problematikës së diskutuar me të cilin do të njoftohet Ministria e shëndetësisë. Ndërsa nga pushteti lokal të kërkohet seancë e jashtëzakonshme, në të cilën me pjesëmarrje të përfaqësuesve të Ministrisë së shëndetësisë të shqyrtohet problemi i Maternitetit dhe gjendja aktuale shëndetësore në komunë të Preshevës. Në rast të mospërfilljes së këtyre kërkesave nuk u përjashtua edhe varianti i organizimit të peticionit të qytetarëve lidhur me këtë problematikë”, përfundon kumtesa e PVD-së. /Titulli.com/