Pse e thotë kryediplomatja gjermane në Beograd: Duhet ta kundërshtojmë idenë e ndryshimit të kufijve me forcë
Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, në një konferencë për shtyp, pas takimit me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Gjermania do të jetë gjithnjë e më e pranishme në Ballkanin Perëndimor. Ajo tha se duhet të kundërshtohet ideja e ndryshimit të kufijve me forcë.
Kreyediplomatja gjermane, siç raportojnë mediat serbe, duke folur për dialogun Kosovë-Serbi, ka thënë se “Nevojitet progres i dukshëm ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”.
“Gjermania dëshiron të kontribuojë në vazhdimin e bisedimeve për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse pas zgjedhjeve [zgjedhjeve nacionale dhe presidenciale në Serbi]”, tha Baerbock.
Ndërsa presidenti serb tha se nga biseda është konkluduar se dialogu duhet të zgjidhë problemet mes dy palëve dhe se “Serbia gjithmonë i përgjigjet thirrjes për dialog në Bruksel”.
Ministrja Baerbock tha se bisedimet me presidentin Vuçiq ishin të hapura dhe të sinqerta, në frymën e besimit dhe tha se kur bëhet fjalë për luftën në Ukrainë, të gjithë ata që ndajnë vlera të përbashkëta nuk mund të qëndrojnë mënjanë dhe duhet të kanë qëndrime të qarta jo vetëm brenda Evropës, por edhe brenda komunitetit ndërkombëtar, transmeton Telegrafi.
Ajo përkujtoi se edhe Serbia edhe Gjermania kanë pasur lidhje të ngushta me Rusinë, por se në këtë moment duhet të shprehin qëndrime të qarta për këtë çështje dhe se anëtarësimi në BE [i Serbisë] do të thotë edhe gatishmëri për harmonizim me qëndrimet e Unionit.
Sipas saj, vendimi i Serbisë për të dënuar agresionin rus ndaj Ukrainës në OKB është vërejtur në Gjermani dhe se OKB-ja nuk e ka dënuar popullin rus, por Vladimir Putinin dhe ndihmësit e tij militantë.
Baerbock përkujtoi se Asambleja e Përgjithshme e OKB-së e dënoi qartë agresionin rus dhe shtoi se qëndrimi i Serbisë në këtë drejtim është vërejtur në Gjermani.
“Njerëzit në Ballkan e dinë se çfarë do të thotë luftë, sa e çmuar është paqja. Ne duhet të kundërshtojmë idenë se kufijtë mund të ndryshohen me forcë. Ne duhet të punojmë në mënyrë aktive për të ardhmen paqësore të Ballkanit”, theksoi ajo, duke shtuar se stabiliteti dhe demokracia janë kushtet themelore për zhvillimin ekonomik dhe se Gjermania dëshiron të kontribuojë në zhvillimin e Ballkanit Perëndimor dhe Serbia të bëhet anëtare e plotë e BE.
Baerbock theksoi se i dërguari special i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, do të jetë “syri dhe veshi i saj”.
Ministrja e jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock po qëndron në Beograd pas vizitës në Kosovë, ku tha se Bashkimi Evropian është duke i zgjatur dorën shteteve të rajonit në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian.
Në Prishtinë ajo u shpreh se Kosova e ka bërë punën e saj për sa i përket liberalizimit të vizave. “Tani duhet që Bashkimi Evropian ta bëjë punën e vet”, tha ajo.
Në këtë kuadër ajo përmendi edhe procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku sipas saj, nevojitet përparim.
Baerbock, gjatë vizitës së saj në Kosovë, u shoqërua edhe nga Manuel Sarrazin, i dërguari i Posaçëm i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, të cilin qeveria gjermane e emëroi në këtë pozitë më 18 shkurt 2022.