Promovohet libri "Bujanoci, burim i trashëgimisë sonë kulturore dhe natyrore" (foto)
Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore në sallën e shtëpisë së kulturës në Bujanoc promovoi librin “Bujanoci, burim i trashëgimisë sonë kulturore dhe natyrore”.
Dashamirë të librit, historian, përfaqësues nga jeta politike e fetare morrën pjesë në inaugurimin e librit të veçantë- monografi për Bujanocin dhe pasuritë e tij të trashëgimisë kulturore dhe natyrore.
Sipas autorit Xhemaledin Salihi libri përfshinë objektet arkeologjike e sakrale të besimit islam, objektet sakrale të krishtera, objektet e banimit dhe ndërtesat ndihmëse, objektet publike, përmendoret, lapidarët, bustet, pllakat dhe janë përfshirë trashëgimi natyrore e rajonit të Bujanocit por pa pretendime se janë përfshirë të gjitha.
“Jam munduar të japë një kontribut në hulumtimin e vlerave të trashëgimisë kulturore dhe natyrore për rajonin e Bujanocit dhe gjatë realizimit kemi regjistruar 447 vlera”, tha Salihu.
Ai ka falënderuar të gjithë ata që përkrahën botimin e këtij duke përfshirë edhe ekipin realizues por ka folur edhe për kontrubuesin kryesor të këtij projekti, arkeologun Rexhep Kadriu nga Lluçani që sipas autorit është një enciklopedi për studimet arkeologjike.
Për rëndësinë e librit ka folur edhe njëri nga recensentët Dr. Veton Zejnullahu i cili deklaroi se nuk është punuar nga kabineti por libri është shkruar në ecje e sipër.
“Rajoni i Bujanocit ka një pozitë strategjike dhe libri është një dëshmi me një të kaluar të trashëgimisë kulturore dhe do të shërbej për studiuesit e rinj në të ardhmen”, është shprehur Zejnullahu.
Libri “Bujanoci, burim i trashëgimisë sonë kulturore dhe natyrore” shtjellon në mënyrë sipërfaqësore objektet me vlerat arkeologjike të cilat dëshmojnë se popullata vendase autoktone është parahistorike, kohës antike, të mesjetës por edhe më të vonshme.
Sipas fjalëve të recensentit tjetër të librit Dr. Ardina Eminit, i cili nuk ishte i pranishëm por fjalët e tij i përcolli Bilall Maliqi ka vlerësuar se në përmbajtjen e librit autori transmeton vlera të përshkrimit dhe ruajtjes të trashëgimisë kulturore nga shqiptarët e kësaj treve.
“Rëndësia e këtij libri duhet parë edhe në një tjetër drejtim si në atë argumentues historik, me ç’rast autori argumenton autenticitetin e jetës shqiptare në këtë rajon dhe lidhjen e tyre me trungun shqiptarë”, kishte vlerësuar Emini.
Njohësit e vlerave kulturore dhe historian që ishin të pranishëm në promovim vlerësuan se ky libër ka një rëndësi për qytetarët e kësaj treve, por megjithatë është dashur të punohet më një ekip më profesionale dhe se përfshinë të dhëna sipërfaqësore të trashëgimisë.
Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore ka selinë në Preshevë dhe punon në projekte të ndryshme që lidhen vlerat e përgjithshme të trashëgimisë kulturore në Luginë të Preshevës./Titulli.com/