Presheva me konkurs për të ndihmuar nënat kryefamiljare dhe fëmijët jetim
Komuna e Preshevës përmes Fondit Humanitar shpall konkurs për të ndihmuar materialisht nënat që kujdesen vet për familjen dhe fëmijët jetim.
Nga ky fond për këtë vit janë të paraparë ndihmë për 120 familje me nëna kryefamiljare, me një shumë totale prej 840 mijë dinarë, apo mesatarisht 7.000 dinarë për familje, thuhet në njoftimin e Këshillit drejtues të Fondit për qëllime Humanitare, pran komunës së Preshevës, transmeton Titulli.com.
Ky konkurs parasheh edhe përzgjedhjen e 50 fëmijëve jetim të cilët do të ndihmohen me një shtesë prej 5.000 dinarë, ndërsa përparësi kanë studentët. Vlera e përgjithshme e këtij projekti arrin në 1 milion e 90 mijë dinarë.
“Luten të gjitha zonjat të dorëzojnë dokumentet e nevojshme: Kërkesa ku të përshkruajnë gjendjen ekonomike te tyre, numrin e fëmijëve, moshën. Kërkesës t’i bashkëngjitet certifikata e vdekjes së burrit ose vendimi i shkurorëzimit. Afati i dorëzimit të kërkesës është nga data 02.02.2015 deri me datë 23.02.2015. Parat do të jepen me datë 8 mars 2015!”, thuhet në njoftimin e Fondit për qëllime Humanitare pranë komunës së Preshevës.
Gjithashtu theksohet se konkursi i radhës për ndihmë nënave kryefamiljare dhe fëmijëve jetim do të jetë në muajin tetor të këtij viti!
“Meqenëse shumë qytetar human, bujar kanë shprehur dëshirën për të bashkëpunuar me ne si fond dhe t’i dalim në ndihmë bashkëqytetarëve tanë në nevojë, kushdo që do të ndihmoj, do të jetë i pranishëm personalisht në dorëzimin e parave të tij, familjarëve ose fëmijëve në momentin që do të bëjmë ndarjen e mjeteve”, thuhet në njoftimin e Fondit me kryetar Iljaz Iljazin dhe sekretare Albina Bajramin. /Titulli.com/