Përfaqësuesve të Bujanocit dhe Preshevës, kryeministri Kurti u premton reciprocitet të të drejtave me serbët e Kosovës
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim kryetaren e Komunës së Preshevës Ardita Sinanin, kryetarin e Komunës së Bujanocit Nagip Arifin dhe këshilltarin komunal të Medvegjës Fehmi Beha, me të cilët bisedoi për çështjen e të drejtave të shqiptarëve në këto tri vendbanime dhe në viset e tjera në Serbi.
Kryetari i Komunës së Bujanocit theksoi problemet e qarkullimit të lirë të shqiptarëve në pikat kufitare të Kosovës me Serbinë, si dhe pasojat e mosnjohjes së diplomave të Kosovës.
Kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, e njoftoi kryeministrin Kurti me gjendjen e keqësuar në Preshevë e rrethinë, si pasojë e vërshimeve të muajit të kaluar, që shkaktuan dëme materiale, siç tha ajo, në vlerë prej 325 mijë eurove.
“Ajo theksoi problemin që kanë shqiptarët e kësaj komune me mungesën e investimeve dhe kushtëzimet e pengesat që u bën pushteti i Beogradit investitorëve të huaj që shprehin interesim të investojnë në këtë vendbanim shqiptar”, theksohet të ketë thënë ajo.
Ndërkaq, këshilltari në Komunën e Medvegjës, Fehmi Beha, foli për metodën e heshtur dhe të rrezikshme të diskriminimit që po u bën pushteti shqiptarëve të kësaj komune, me pasivizimin e adresave, duke i lënë kështu qindra shqiptarë pa dokumentacion as të Serbisë e as të Kosovës.
“Në takim u diskutua edhe për takimin e 15 qershorit në Bruksel, për të cilin kryeministri Kurti tha se ishte takim për dialogun e ardhshëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbi statusin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve”, bën të ditur ZKM-ja.
Ai tha se në procesin e dialogut të ri do të angazhohet për reciprocitet të drejtash të pakicave kombëtare në Kosovë e në Serbi.
“Takimi i kryeministrit Kurti me përfaqësuesit politikë të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit është në vazhdën e takimeve për ruajtjen e marrëdhënieve të mira dhe bashkëpunimit institucional për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve”, përfundohet në komunikatë.