PDSH kandidon Enver Memetin për bartës të listës për zgjedhjet e Këshillit Kombëtar Shqiptar
Kryesia e Partisë Demokratike Shqiptare në mbledhjen e saj ka vendosur që bartës të listës për zgjedhjet e Këshillit Kombëtar Shqiptar të kandidoj Enver Mehmeti, jurist i diplomuar, sekretar aktual i Këshillit Kombëtar Shqiptar.
Partia Demokratike Shqiptare lëshon këtë komunikatë:
Pas vendimit të Këshillit Qendrorë të Partisë Demokratike Shqiptare për pjesmarrje në zgjedhjet për Këshillin Kombëtar Shqiptar që do të mbahen me datë 04 nëntor 2018, kryesia e PDSH për bartës të listës në këto zgjedhje propozoi dhe vendosi që të jetë Enver Mehmeti, jurist i diplomuar, sekretar aktual i Këshillit Kombëtar Shqiptar.
Ditët në vazhdim, Partia Demokratike Shqiptare do të bëjë përpjekje që në përpilimin e listës së kandidatëve për Kuvendin e Këshillit Kombëtar Shqiptar të përfshijë edhe subjekte tjera politike si dhe organizata joqeveritare që veprojnë në Luginë të Preshevës.
Kryesia e PDSH-së edhe njëherë konstatoi se zgjedhjet për Këshillin Kombëtar Shqiptar të shpallura për datë 04 nëntor 2018, shqiptarët e Luginës së Preshevës i gjejnë si popullin më të diskriminuar në Evropë nga qeveria e Serbisë, e cila nuk arriti edhe në përfundim të legjislaturës së dytë të këtij organi të përmbushë asnjë obligim ndaj kërkesave të shqiptarëve.
PDSH duke vlerësuar se pozita e shqiptarëve në Luginë të Preshevës është edhe më e rënduar, do të angazhohet maksimalisht që edhe në këtë kohë të jetë konsistente në artikulimin e kërkesave legjitime të shqiptarëve Luginës së Preshevës, të cilat do të parashtrohen në çdo institucion vendor dhe ndërkombëtar deri sa Presheva, Bujanoci dhe Medvegja të bëhen pjesë integrale e Republikës së Kosovës.
Në Preshevë
Kryesia e PDSH-së