PDSH inicion seancë të kuvendit komunal për pako ekonomike në Preshevë
Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare në Preshevë, Ragmi Mustafa kërkon seancë të jashtëzakonshme me qëllim të propozimit të pakos ekonomike për biznesin privat.
Kjo është deklarata e plotë:
Sot është mundësia për të krijuar bazën juridike që të përfitojnë dhe shpëtojnë shumë kategori të qytetarëve e bizneseve tona për përballimin e suksesshëm të pandemisë Covid-19 dhe pasojave ekonomiko-sociale të saj.
Duke parë papërgjegjshmërinë dhe paaftësinë e këtij pushteti dhe rrezikun e madh të kësaj pandemie, Partia Demokratike Shqiptare, si partia më e madhe opozitare, ka mbajtur një qëndrim konstruktiv e konsekuent duke propozuar në kohë masa e veprime të bazuara në këshillat dhe praktikat më të mira të vendeve të rajonit por edhe ato ndërkombëtare.
Në këtë kohë, duke e parë se situate ekonomike po përkeqësohet për çdo ditë e më shumë, PDSH KËRKON seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal me qëllimin më të mirë, për qytetarët dhe vendin tonë, për përballimin sa më të suksesshëm të situatës, në veçanti mbrojtjen e sektorit privat.
Partia Demokratike e Shqiptare propozimin e saj për pakon 279.336.440,00 din e bazon tek tre burime të sigurta financimi, duke mos rrezikuar stabilitetin e fuksionimit të Komunës së Preshevës. Prandaj ne i bëjmë thirrje të gjitha partive politike që të lënë mënjanë ndasitë politike, por të bëhemi bashkë për ta plotësuar dhe miratuar pakon që do të mundësojë shpëtimin dhe rimëkëmbjen e ekonomisë Preshevare.
Kjo situatë po gjunjëzon edhe vendet më të zhvilluara të botës, prandaj duhet vepruar sa më parë, sepse vonesat e mëtejshme do të kenë kosto të jashtëzakonshme dhe dëme të pariparueshme për mirëqenien e qytetarëve tanë.
Pandemia është një armik i përbashkët, dhe për ta përballuar duhet unitet politik të të gjitha partive dhe çdo lëshim që bëhet tani mbart një përgjegjësi morale e historike të jashtëzakonshme.
Më mirë sot të aprovohen se nesër, sepse nesër dëmi do të jetë dyfish më i madh.
Partia Demokratike Shqiptare- Preshevë, Ragmi Mustafa kryetar