Lokale
Pas dështimit të bisedimeve, LPD kërkon bashkim të Luginës me Kosovën
Lëvizja e Progresit Demokratik (LPD), serialin e takimeve të Brukselit mes Prishtinës dhe Beogradit e sheh si një “qarkullim në rreth të mbyllur”, duke u dhënë kohë e hapësirë serbëve të veriut të Kosovës, në emër të “dialogut” t’i realizojnë aspiratat e tyre politike e territoriale.
Asociacioni i komunave serbe në Kosovë, është duke shkuar drejt një Autonomie, duke vënë para sprovave të reja bashkësinë ndërkombëtare, Prishtinën dhe Beogradin.
LPD me seli ne Bujanoc, “marrëveshjen” e shumëpritur mes palëve negociatore e cila po zvarritet, ka krijuar një klimë jo të favorshme edhe për shqiptarët e Luginës së Preshevës, të cilët gjithnjë po e humbin durimin dhe besimin në ndërtimin e një paqeje të qëndrueshme mes dy shteteve dhe dy popujve.
LPD, vazhdimisht, ka kërkuar nga Prishtina dhe ndërkombëtarëve, që në kuadër të këtyre bisedimeve të përfshihet edhe çështja e Luginës së Preshevës, e cila përballet me probleme të shumta politike dhe ekonomike.
Beogradi sistematikisht diskriminon shqiptarët edhe pse ata rregullisht kanë marrë pjesë në proceset demokratike për zgjidhjen e problemeve me të drejtat, të cilat u jepen serbëve në veri. LPD nuk ka kërkuar as më shumë e as më pak se sa kërkojnë serbët e Kosovës.
"Po qe se Beogradi edhe më tej vazhdon dhunën dhe diskriminimin ta ushtroj ndaj shqiptarëve etnikë të Luginës, LPD, nuk mban përgjegjësi nëse në skenë shfaqen incidente, të cilat askush nuk i dëshiron. Po a nuk janë këto forma të dhunës shtetërore, të cilat i detyruan shqiptarët t’i kapin armët në duar për ta mbrojtur nderin e familjes dhe dinjitetin qytetar e kombëtar", thuhet në kumtesën e LPD-së, transmeton Titulli.
Lëvizja e Progresit Demokratik, kërkon nga spektri politik shqiptar i Luginës së Preshevës, për një unifikim të qëndrimeve konform Referendumit të 1 dhe 2 marsit 1991, pastaj në pajtim me Marrëveshjen e Konçulit dhe Platformën e këshilltarëve shqiptarë të tre kuvendeve të vitit 2006, për ta jetësuar vullnetin e popullit të shprehur me referendum për bashkim me Kosovën, përfundon kumtesa e nënshkruar nga lideri i LPD-së, Jonuz Musliu.
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!