Pakicat kombëtare në Serbi dhe integrimi e tyre në shoqëri i bllokuar?
Pakicat kombëtare në Serbi prej vitesh jetojnë nga sfida në sfidë. Të drejtat e pakicave nga autoritetet shtetërore serbe konsiderohen luks dhe zemërgjerësi. Më saktësisht koncepti i të drejtave njerëzore, e në të cilat do të duhej të futeshin edhe të drejtat e pakicave, parasë gjithash, nga autoritetet aktuale kuptohen vetëm si të drejta të Serbëve, të drejtat e tyre njerëzore për t’u bashkuar.
Faktikisht të drejtat e njeriut, por edhe të drejtat e pakicave posaçërisht, janë pjesë e pandashme e Kushtetutës së Republikës së Serbisë. Veç saj, ato janë të rregulluara edhe me ligjet dhe aktet nënligjore si instrumente të nevojshme, megjithatë jetësimi i tyre është mjaft larg realitetit.
Përpjekjet e bëra ndër vite nga faktor të ndryshëm në Serbi, që të jetësohen të drejtat e pakicave, nën regjimin autoritar të Aleksandër Vuçiqit ato kanë shkuar huq. Ato përpjekje, jo veç kanë shkuar huq, mirëpo krejtësisht mungon edhe vullneti politik për jetësimin të drejtave të pakicave që janë të vendosura në letër. Si pasoj e ndikimit të politikës, disponimi shoqëror në Serbi është jashtëzakonisht i pafavorshëm dhe assesi i interesuar për të drejtat e pakicave kombëtare.
Pakicat kombëtare në Serbi nuk janë në numër të vogël, por për nga shtrirja gjeografike ku ata jetojnë, kompakte në vendbanimet e tyre parasë gjithash janë pakica hungareze në Vojvodinë, ajo boshnjake në Sanxhak dhe shqiptare në tri komuna që përbëjnë rajonin e Luginës së Preshevës.
Nën regjimin autoritar të Aleksandar Vuçiqit, nga pakicat kombëtare, veçanërisht shqiptarët dhe boshnjakët, u janë nënshtruar masave të ndryshme administrative përmes një diskriminimi e mos respekti të strukturuar të drejtave të tyre, veç si pakica edhe si të drejta njerëzore. Synimi i këtyre masave është ulja sa më e madhe e numrit të tyre, i cili synim do të shmangte çfarëdo kërkese për një autonomi më të madhe, e cila do t’u garantonte qetësi e stabilitet kombëtar por edhe ekzistencial.
Për të ulur numrin e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, Serbia prej kohësh po zbaton procesin e njohur si “Pasivizimi i adresave të shqiptarëve” që punojnë jashtë vendit, ose ata që kanë shkuar në Kosovë. Ikja e tyre në vendet e Bashkimit Evropian ka ardhur si pasoj e mos pasjes së një perspektive ekonomike në vendin e tyre të lindjes. Masa në fjalë është metodë e formë e spastrimit etnik të pakicës kombëtare shqiptare, e cila jeton në Serbinë Jugore, konkretisht në rajonin e Luginës së Preshevës. Fatkeqësisht të goditur nga kjo masë janë edhe qytetarët që jetojnë e banojnë pa ndërprerë në adresat e tyre.
Çështja e pasivizimit të adresave të banorëve shqiptar të këtyre tre komunave pavarësisht zërave progresiv edhe në Serbi nuk ka marrë vëmendjen e autoriteteve në Beograd.
Serbia vazhdimisht është në përpjekje të synimit të saj për shtetin etnonacional dhe të bashkojë të gjithë serbët duke margjinalizuar sistematikisht të gjitha pakicat dhe të drejtat e tyre. Fatkeqësisht, pavarësisht pranisë së ambasadave të shumta, OSBE-së dhe organizatave të tjera në jug të Serbisë, shqiptarët jeton në harresë dhe në pritje që statusi i tyre të zgjidhet. Prej vitesh, insistimi i tyre ka qenë që problemet e tyre të zgjidhen si pjesë e zgjidhjeve të problemeve me Kosovën.
Për krahasim u janë referuar të drejtave të pakicës serbe në Kosovë dhe zhvillimit të këtyre të drejtave qoftë kushtetuese e ligjore çoftë të jetësimit të tyre në teren. Si pasojë e pozicionin po ashtu aspak të mirë të të drejtave të pakicës boshnjake e cila kompaktësisht jeton në rajonin e Sanxhakut, janë parashtruar kërkesa edhe nga ata që të drejtat e tyre të si pakicë kombëtare të jenë të krahasueshme me të drejtat e pakicave në Kosovë.
Duke parë gjithë gamën e mos respektimit të të drejtave të pakicave kombëtare në Serbi, në një raport të detajuar Komitetit të Helsinkit me qendër në Beograd, përmendët fakti që edhe Komisioni Evropian përmes raporteve të saja ka kritikuar dobësinë e sundimit të ligjit, arsye kjo pse nuk është hapur asnjë kapitull i negociatave për anëtarësim të Serbisë në BE këto dy vitet e fundit.
Pakicat kombëtare të Serbi janë të organizuara në Këshilla Kombëtare përmes së cilave provohet ruajtja e gjuhës, kulturës, arsimit dhe informimit në gjuhët e tyre. Kjo vazhdimisht është dëshmuar se nuk është e mjaftueshme dhe jo ndihmuese për integrimin e mirëfilltë të tyre në shoqëri. Me kapacitetin aktual të këtyre Këshillave Kombëtare, pakicat janë të ekskomunikuara nga mundësit që do t’i kishin po të kishte vullnet nga Beogradi për integrimi e tyre në shoqërinë serbe.
Shembull për të dëshmuar këtë gjendje, mund të jenë edhe shpjegimi i raportit të Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut me qendër në Beograd, një organizëm avangard i të drejtave të njeriut, ku shtjellon Strategjinë për kulturë të Qeverisë së Serbisë për vitet 2020-2029, e cila është miratuar nga Qeveria serbe. /The Geopost/