Pajaziti optimist për qeverinë e re të Kosovës: Kësaj here gjërat do të ndryshojnë edhe tek ne
Dihet tanimë se jemi pothuajse para formimit të qeverisë së re të Kosovës dhe me shumë gjasë do të jetë koalicioni LDK dhe LVV. Kryetari i degës së APN-së në Bujanovc, Arbër Pajaziti në një intervistë për Titulli.com duke folur për qeverinë e ardhshme deklaroi se është momenti i fundit që të i ketë në agjendën e qeverisë edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës.
Ai shton se pritshëmritë edhe në fillimin e mandatit të qeverisë së kaluar në Kosovë ishin të mëdha por kemi pasur deri më sot vetëm deklarata nga krerët kosovar dhe është bërë shumë pak, por të presim ndoshta të kemi një reciprocitet siç e ka thënë edhe vet Kurti.
“Si nga çdo qeveri tjetër dhe në përgjithësi nga institucionet e Republikës së Kosovës pritshmëritë tona kanë qenë të larta, por fatkeqësisht shumë pak është bërë duke mbetur gjithnjë në suaza deklarative. Edhe kësaj here mbesim me shpresë që pozita e Luginës të jetë në agjendat prioritare të qeverisë së re kosovare. Meqë i nominuari për kryeministër, Albin Kurti, që është edhe fitues i këtyre zgjedhjeve, ka paralajmëruar reciprocitet në raport me Serbinë, do të shohim se a do të reflektohet ky parim edhe tek kërkesat për të drejtat tona dhe ndihmesat tjera që përkojnë me pozitën e serbëve në Kosovë” – deklaroi Pajaziti.
Ai e sheh si të padiskutueshme nevojën për ndihmë financiare për Luginën e Preshevës nga qeveria e ardhshme e Kosovës e kjo për ekzistencë kombëtare thotë Pajaziti.
“Është momenti i fundit që qeveria e Kosovës të shtojë përkujdesjen ndaj shqiptarëve të këtushëm ngase ky rajon po lihet në mëshirën e fatit, kur dihet se Beogradi zyrtar aspak nuk shpreh interesim për këtë zonë të banuar me shqiptarë autokton. Përveç aspektit politik, Lugina ka nevojë emergjente edhe për asistencë financiare nga Kosova për të mbajtur gjallë ekzistencën kombëtare. Padyshim, ekziston një optimizëm se kësaj here gjërat do të ndryshojnë dhe se kjo të ndjehet edhe tek ne në Luginë” – deklaroi Pajaziti.