Kosova zotohet t’i paraqesë problemet e Luginës në instancat ndërkombëtare
Presidentja Vjosa Osmani është zotuar që Kosova do t’i paraqesë problemet e shqiptarëve që jetojnë në Luginë të Preshevës në instancat më të larta ndërkombëtare.
Zotimi i Osmanit erdhi pas takimit që pati me delegacionin e Këshillit Kombëtar Shqiptar për Luginën e Preshevës të përbërë nga Ragmi Mustafi, Lirona Zuka dhe Alban Alili.
“E keni mbështetjen time dhe ju siguroj se do të përpiqem që zëri juaj të dëgjohet. Qytetarët e Luginës së Preshevës janë brengë e jona e përhershme, dhe do të ndërmarrim çdo veprim të mundshëm për t`i ndihmuar sa më shumë”, ka theksuar ndër të tjera Osmani.
Presidentja e Kosovës ka shprehur gatishmëri për ta mbështetur këtë Këshill, duke bërë të ditur se në vazhdimësi angazhohet për promovimin e të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanovc dhe ka adresuar problemet me të cilat ballafaqohen këta qytetarë, siç janë pasivizimi i adresave, mosnjohja e diplomave nga Serbia dhe problemet e vazhdueshme me punësimin.