Lokale
Organizime për 100 vjetorin, KKSH pa “qasje” në Preshevë
Në komunën e Preshevës po vazhdojnë përgatitjet për festimin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë me tribuna dhe akademi të ndryshme.
Shënimi i 28 nëntorit, 100 vjet shtet shqiptar, si duket në komunën e Preshevës do të organizohet nga institucionet komunale dhe ato shoqërore dhe jo nga Këshilli Kombëtar Shqiptar.
Në mbledhjen e djeshme të drejtuesve të Shoqatës për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore në Preshevë janë shqyrtuar disa pika të rendit të ditës që kishin të bënin pikërisht me organizimet për festimin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë në Preshevë, fushë kjo kulturore të cilën drejtuesi i KKSH-së Galip Beqiri disa herë ka thënë se është në kompetencën e tij.
Duke folur për organizimin, gjatë mbledhjes së kryesisë së shoqatës, drejtuesi Xhemaledin Salihu tha se ato do të realizohen duke pasur parasysh bashkëpunimin edhe me anëtarë të komisionit të zgjedhur nga organet komunale dhe nuk përmendi ato të Këshillit Kombëtar Shqiptar.
Kjo shoqatë ka paraparë organizimin e një akademie përkujtimore kushtuar Abdullah Krashnicës-hero i popullit shqiptar, si dhe simpoziumin shkencor “Presheva në lëvizjen shqiptare gjatë historisë”.
Vetëqeverisja lokale në Preshevë nuk ka pothuajse asnjë marrëdhënie me Këshillin Kombëtar Shqiptar në Serbi, duke e njohur atë vetëm si Këshill për mbrojtjen e interesave të një subjekti politik shqiptar./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!