Nxënësit e Luginës vizitë në Kosovë me organizimin të qeverisë
Një grup i nxënësve shqiptarë nga shkollat e mesme të komunave Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë kanë realizuar një vizitë në kryeministrinë e Kosovës dh disa vende kulturore nga e kaluara më e hershme Ilire-Dardane, Memorialin Adem Jashari dhe qytetin e Lidhjes së Prizrenit.
Gjatë takimit me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, me një ngrohtësi të thellë vëllazërore përshëndeti nxënësit duke i dëgjuar dhe inkurajuar rreth realizimit të synimeve të tyre, por edhe durimin për të gjitha brengat aktuale.
“Në vizitën e Memorialit Adem Jashari u njoftuan nga ciceroni rreth historikut të ngjarjeve heroike të familjes Jashari me çka nxënësit u ndjen të emocionuar dhe krenarë për qëndresën dhe flijimin e kësaj familje për lirinë e sotme të Kosovës. Gjithashtu vlen të ceket se në ambientet e kryeministrisë u shtrua një drekë për nxënësit”, thuhet në njoftimin e shkollës së mesme në Bujanoc.
Sipas këtij njoftimi të publikuar në ueb-faqen e shkollës vizita e radhës ishte lokalitetit arkeologjik Iliro–Dardan, qyteti Ulpiana në afërsi të Prishtinës ndërsa nxënësit e udhëhequr nga organizatori dhe profesori i historisë u njoftuan për zhvillimin dhe rëndësinë e këtij qyteti të rëndësishëm gjatë periudhës sunduese romake.
Pjesë e viztës ishte qyteti i Prizrenit, ku shqiptarët morën vendime dhe aktivitete shumë të rëndësishme historike duke themeluar organizatën e parë politike-ushtarake, Lidhjen e Prizrenit.
Ky udhëtimin është organizuar nga koordinatori Nacional për Kulturë, Arsim, Rini dhe Sport në Qeverinë e Kosovës, Rexhep Hoti.