Nuk bëhet pranim-dorëzimi i detyrës së kryetarit të komunës së Preshevës
Ardita Sinani, ka marrë detyrën e kryetarit të komunës së Preshevës në prani të partnerëve të koalicionit dhe ka kritikuar ish-kryetarin Shqiprim Arifi për mos prezencë.
Postimi i plotë në Facebook nga Ardita Sinani:
Sot, në shoqërimin e Zëvendës kryetarit të Komunës, z.Ragmi Mustafa dhe të kryetarit të Kuvendit Komunal, z.Sami Salihu; me bashkëpunëtorë, fillova zyrtarisht detyrën e kryetares së Komunës së Preshevës.
Më vjen keq që ish-kryetari i Komunës nuk mori pjesë në pranim-dorëzimin e detyrës dhe të dokumentacionit teknik e administrativ. E kuptoj egon personale dhe qëllimin për ta vështirësuar punën e zyres së Kryetares së Komunës. Por, pranim-dorëzimi nuk është çështje shtrëngim duarsh.
Pranim-dorëzimi është kulturë (e vazhdimësisë) institucionale dhe tregues i potencialit tonë demokratik. Shprehje se e duam Preshevën, interesin e saj publik dhe qytetar, më shumë se veten.
Sidoqoftë, qeverisja jonë e re është e përkushtuar për vazhdimin e punëve të mira dhe ndalimin e vendimeve të dëmshme, si dhe për fillimin e reformave gjithëpërfshirëse.
Presheva bëhet bashkërisht.