Në 27 vjetorin e Referendumit, a do të bashkohet Lugina e Preshevës me Kosovën?
Pas shërbërjes së Jugosllavisë së Titos-RSFJ-së në vitetet e 90-ta të shekullit XX, Kosova nga data 26-30 shtator 1991 organizoi Referendumin “për Pavarësi”.
Kurse, pas mbajtjes së referendumit maqedonas për pavarësi nga Jugosllavia, më 8 shtator dhe miratimit të Kushtetutës në vitin 1991, shqiptarët Maqedonisë më 11 dhe 12 janar 1992, e mbajtën më sukses Referendumin “për Autonomi Politike dhe Territoriale”.
Dy muaj e gjysëm pas tyre, shqiptarët e Luginës së Preshevës organizuan Referendumin “Për Autonomi Politike dhe Territoriale, me të drejtë bashkimi më Kosovës”.
Pra, për dallim nga shqiptarët e Maqedonisë, që ishin deklatuar vetëm për Autonomi Politike dhe Territoriale, shqiptarët e Luginës së Preshevës në Referendumin e 1 dhe 2 Marsit 1992 deklaruan vullnetin e tyre politik edhe “për Bashkim me Kosovën”.
Natyrisht se kjo agjendë politike e referendumeve të shqiptarve në Kosovë dhe në Luginën e Preshevës, të okupuara nga regjimi fashist e antishqiptar i Serbisë, si dhe të shqiptarve në Maqedoninë nacionaliste e jodemokratike, ishte përcaktuar në Platformën Politike të Këshillit Koordinues të Partive Politike të Shqiptarve në ish Jugosllavi, të mbajtur në afërsi të Zagrebit (Stubičke Toplice), më 18-21 janar 1991.
Pra, para 27 vjetësh, më 1 dhe 2 mars 1992, shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, për herë të parë në historinë e tyre, deklaruan vullnetin politik “për Autonomi Politike e Territoriale” dhe “për bashkim me Kosovën”.
Kurse tani, në vitin 2019 është hapur debati politik, në kuadër të finalizimit të dialogut për normalizimin e marëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë në dialogun e Brukselit, për “shkëmbim territoresh”, për “përkufizim etnik” midis shqiptarve dhe serbëve, dmth për bashkimin e veriut të Kosovës (Leposaviqit, Zubin Potokut, Zveçanit dhe Mitrovicës së veriut) me Serbinë, nga Presidenti aktual i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe nga ministri i punëve të jashtme, Ivica Daçiq.
Kurse, si kundërpërgjigje ndaj tyre ose si opcion kosovar, nga Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, është lancuar ideja për “korrigjim” të kufirit midis Kosovës dhe Serbisë, duke e bashkuar Luginën e Preshevës me Kosovën.
Ndërkaq, shumica e opinionit dhe subjekteve politike të shqiptarve në Kosovë e Shqipëri, këtë ide të Presidentit Thaçi e shikojnë si emërtim tjetër të pretendimeve serbe për ndarjen e Kosovës, dmth të bashkimit të veriut të Kosovës me Serbinë dhe si rrezik për pavarësinë dhe për sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës.
Rrethanat e këtilla, realisht shqiptarët në Luginën e Preshevës i ka vënë në situatë tejet të vështirë: midis dëshirës së zjarrtë të tyre për Bashkim me Kosovën dhe për çlirim nga robëria 107 vjeçare nën Serbi, dmth nga Lufta e Parë Ballkanike e vjeshtës së vitit 1912, që ua ka nxirë jetën dhe paraqesin komunitetin më të diskriminuar në Europë, nga njëra anë, dhe nga vendosmëria dhe brengosja, kujdesi i tyre për të mos e dëmtuar në asnjë mënyrë shtetësinë dhe pavarësinë e sovranitetin territorial të Republikës së Kosovës.
Shkruar nga Nehat Hyseni-Preshevë
Vërejtje: Autori ka qenë Zëdhënës i Referendumit të 1 dhe 2 Marsit 1992 të shqiptarve të Luginës së Preshevës “Për Autonomi Politike e Territoriale, me të drejtë bashkimi me Kosovën”.