Lokale
Ndryshon qeverisja lokale e Bujanocit
Pushteti lokal i komunës së Bujanocit sot ka ndryshuar strukturën e qeverisjes duke e forcuar edhe më shumë pozitën aktuale të kuvendit komunal të Bujanocit. Lëvizja e Progresit Demokratik, ju bashkue qeverisjes komunale me Partinë Demokratike të Nagip Arifit dhe partnerëve të tij nga radhët e partive serbe.
Në seancën e sotme të Kuvendit Komunal, Ajredin Hyda ka paraqitur dorëheqjen e tij të parevokueshme nga posti i kryetarit të organit më të lartë të pushtetit lokal dhe kështu këshilltarët kanë emëruar kryetarin e ri, Jonuz Musliun.
Jonuz Musliu kryetar i sapo zgjedhur i kuvendit komunal të Bujanocit u betua se punën e tij do ta kryej me nderë dhe përgjegjësi.
“Do të jem përgjegjës për ti tejkaluar të gjitha sfidat që përballet komuna e Bujanocit dhe bashkërisht do punojmë për një komunë stabile dhe të zhvilluar. Natyrisht se është një përgjegjësi e gjithë neve dhe do t’i dalim në ndihmë të gjithë qytetarëve”, tha i posazgjedhuri Musliu.
Gjatë votimit të fshehtë të zhvilluar në sallën e kuvendit, Jonuz Musliun e votuan 23 këshilltarë ndërsa 4 ishin kundër, 2 kanë abstenuar dhe këshilltarët shqiptarë nga radhët e PVD-së dhe UDSH-së kanë lëshuar punimet e seancës së sotme.
Vlen të ceket se Lëvizja e Progresit Demokratik, pas zgjedhjeve të 6 majit të vitit 2012 ishte shumë e ashpër ndaj koalicionit që bëri Partia Demokratike me partnerët serb.
Kuvendi Komunal i Bujanocit tani do të numërojë 29 këshilltarë në pozitë dhe 12 këshilltarë në opozitë.
Struktura e re e qeverisjes lokale do të ketë 12 këshilltarë nga PD, LPD 6, GQ Stojança Arsiq 5 ulëse, DS 3, Partia Përparimtare Serbe 2 dhe PSS 1 këshilltarë, ndërsa opozitën do ta përbëjnë PVD me 8 ulëse, UDSH me 3 dhe PDSH me 1 këshilltarë.
Në historinë e qeverisjes lokale të Bujanocit pas vitit 2002, kjo është hera e parë që në opozitë mbetet vetëm blloku i këshilltarëve shqiptar.
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!