Mustafa: Kemi 230 milion dinarë për ti përmirësuar jetën qytetarëve
Këshilli Komunal i Komunës së Preshevës në mbledhjen e saj të rregullt ka shqyrtuar raportet e punës dhe ato financiare të ndërmarrjeve ku themelues është Kuvendi Komunal.
Kryetari i Komunës së Preshevës Ragmi Mustafa mbledhjen e sotme e quajti mjaft të frytshme dhe me debate që do të sjellin punë edhe më të mirë, ndërsa dha edhe lajmin e mirë për rritje të buxhetit dhe investime në infrastrukturë, raporton Titulli. “Në dispozicion kemi rreth 230 milion dinarë të cilat do të shfrytëzohen pikërisht në adresë të qytetarit, për rregullimin e rrugëve, kanalizimet, në rrjetin e energjisë elektrike dhe projekte të tjera të vogla që përmirësojnë jetën e qytetarëve”, ka thënë Mustafa gjatë seancës së Këshillit Komunal të Komunës së Preshevës. Pika më e rëndësishme e kësaj mbledhje ishte rishqyrtimi i buxhetit të Komunës së Preshevës për vitin 2012. “Kujtoj se pika më e rëndësishme ishte pika e rishqyrtimit të buxhetit të komunës së Preshevës për vitin 2012. Siç e kemi planifikuar vitin e kaluar, këtë vit buxheti i komunës është rritur për 160 milion në krahasim me miratimin e buxhetit e dhjetorit të vitit 2011”, theksoi Mustafa. Vlen theksuar se në këtë mbledhje kanë kaluar të gjitha pikat që ishin në rend të ditës, në mesin e të cilave edhe raportet gjashtë mujore të bibliotekës “Mehmet Jusufi”, organizatës për kulturë fizike dhe shtëpisë së kulturës “Abdullah Krashnica”./Titulli.com/