Lokale
Musliu: Prishtina e Tirana t’i heqin “syzet e errëta”
Kryetari i Kuvendit Komunal të Bujanocit Jonuz Musliu ka thënë se Prishtina dhe Tirana duhet t’i heqin “syzet e errëta” duke kërkuar një mbështetje më të madhe për shqiptarët e Luginës së Preshevës.
Jonuz Musliu këto komente i bëri sot gjatë qëndrimit në edicionin informativ të televizionit publik të Kosovës (RTK) duke theksuar se sot Lugina ka nevojë për përkrahje më shumë se kurrë.
“Burgosja e ish ushtarëve të UÇPMB-së, konfiskimi i librave në Raincë të Preshevës, tani edhe vrasja pa gjyq e Reshat Bajramit, i ka vënë kupën dhunës dhe terrorit ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës”, është shprehur Musliu, transmeton Titulli.
Musliu me këtë rast ka folur edhe për dialogun e filluar me Beogradin për të cilin siç thotë ai “që nga fillimi kanë qenë skeptikë”.
“Kishim takime me përfaqësues të ambasadës së SHBA-së, Britanisë së Madhe, Gjermanisë dhe Francës, dhe me propozimin e tyre së bashku morëm vendim që të rifillojnë bisedimet me Beogradin që të zgjidhen problemet e shqiptarëve, por pa rezultate”, theksoi Musliu në këtë intervistë të shkurtë.
Ai kërkoi mbështetjen e Qeverisë në Prishtinë, sikurse që po e kanë serbët në Veriun e Kosovës.
“Kur Qeveria e Serbisë ndan mjete për serbët e Kosovës atëherë doemos edhe ne duhet të jemi pjesë e buxhetit të Kosovës. Atëherë kur ne biem nën sqetull të Kosovës më mirë do të qeveriset atje apo do të merret një hap më radikal”, nënvizoi kryetari i KK të Bujanocit.
Musliu në fund theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes së Luginës në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, që sipas tij po të ishte Lugina pjesë e delegacionit kosovar situata nuk do të vinte deri këtu ku është sot.
“Qeveria e Republikës së Kosovës problemin e Luginës së Preshevës deri më tani e ka parë me ‘syze të errëta’, por tani duhet ti heqin këto syze si Qeveria e Kosovës poashtu edhe Qeveria e Shqipërisë, dhe domosdo, seriozisht duhet të inkuadrohen në zgjidhjen e problemit të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, përndryshe do të eskalojë situata në Luginë”, përfundoi Musliu./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!