Murati: Me ridefinim të kufijve forcohet shteti i Kosovës
Kryetari i Lëvizjes për Bashkim (LB), Valon Murati ka thënë se ridefinimi i kufijve forcon shtetin e Kosovës dhe bashkon shqiptarët.
Murati në RTV Dukagjini ka shprehur mbështetjen e tij për ndryshimin e kufijve me marrëveshje duke thënë se “vetëm ndryshimi i kufijve me dhunë sjell luftë”.
Ai ka thënë se versionet tjera të zgjidhjes janë shumë më të dhimbshme se lëvizja e kufijve.
“Me asociacionin me kompetenca ekzekutive, ne bëjmë një shtet ku pakica prej 5%, çdo herë ka në dorë çelësin e stabilitetit të këtij shteti”, tha ai.
Kryetari i Lëvizjes për Bashkim (LB), ka thënë se ndjehet i befasuar me ata “që gëzohen që u varros ideja e shkëmbimit të kufijve”.
“Po gëzohen njerëzit që u varros ideja që Presheva, Medvegja dhe Bujanovci t’i bashkohen Kosovës? Si është e mundur që ne aq lehtë e harruam përgjegjësinë ndaj atyre shqiptarëve që kanë qenë pjesë e të gjitha proceseve historike në Kosovë?!”.
Murati ka thënë se me ndryshim të kufijve është e kundërta e atyre që po e thonë një pjesë e politikanëve dhe analistëve në Kosovë.
“Ata që flasin se po prishet shteti i Kosovës duke ri definuar kufijtë e Kosovës, unë po them që janë duke i ndryshuar tezat. Me ridefinim të kufijve ne forcojmë shtetin e Kosovës, sepse marrim pjesë e shqiptarëve dhe krijojmë një shtet funksional”, tha Murati.