Lokale
“Mirupafshim opozitë”, LPD gati për qeverisje
Lëvizja e Progresit Demokratik (LPD) është duke i numëruar ditët për të hyrë në koalicion qeverisës me Partinë Demokratike të Nagip Arifit.
Mbledhjet janë mbajtur, konsultimet kanë mbaruar, dokumenti është bërë gati, vetëm pritet nënshkrimi dhe zyrtarizmi i koalicionit të ri në Komunën e Bujanocit.
Pas muaj bisedimesh LPD ka ndryshuar mendim rreth Partisë Demokratike (PD), dhe tani do të ndajë pushtetin me partinë më të madhe në Komunë të Bujanocit.
Sipas marrëveshjes e cila pritet të nënshkruhet LPD do të udhëheqë me disa ndërmarrje publike, kryeshefë të departamenteve dhe kryetarin e Kuvendit.
Dokumenti i përgatitur për nënshkrim në të cilin ka pasur qasje gazetari i Titullit, Partia Demokratike, partnerit të ri në koalicion do t’i japë këto poste: Kryetarin e Kuvendit, dy anëtarë në Këshillin Komunal, postin e kryeshefit të Inspektimit si dhe të Administratës Lokale Tatimore.
Nga ndërmarrjet publike LPD do të drejtojë Shtëpinë e Kulturës, Organizatën Turistike si dhe Qendrën për Punë Sociale.
Nga ana tjetër Partia Demokratike do të vazhdojë të mbajë postin e kryetarit të Komunës, sekretarit të Kuvendit, 5 anëtarë në Këshillin Komunal, ndihmës kryetarin, kryeshefin e Administratës Komunale, kryeshefin e Administratës së Përgjithshme, kryeshefin e Departamentit për Veprimtari shoqërore si dhe atë të Departamentit të Urbanizmit.
Ndërmarrjet publike me të cilat do të udhëheqin të përzgjedhurit e PD-së janë: Drejtorati për Ndërtim, Komunalia, RTV Bujanoci dhe Barnatorja e qytetit.
Partia Demokratike në Kuvendin Komunal ka 12 këshilltarë, ndërsa Lëvizja e Progresit Demokratik 6.
Me hyrjen në koalicion të LPD-së në opozitë do të mbesin 12 këshilltarë , 8 të PVD-së, 3 të UDSH-së dhe një nga Partia Demokratike Shqiptare./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!