Lokale
Masa të dhunshme në shkollat e komunës së Bujanocit
Në të gjitha shkollat shqipe në komunë të Bujanocit, me përjashtim të shkollës fillore në Tërnoc, janë futur masat e dhunshme
Vendimi i Ministrit të arsimit të Serbisë Zharko Obradoviq për shkarkimin dhe emërimin e anëtarëve të rinj të Këshillave të shkollave i ka dhënë shansin opozitës për të vendosur drejtorët e tyre në krye të shkollave shqiptare, ndërsa në të njëjtën kohë edhe politizimin e mëtutjeshëm të arsimit.
“Deri te ndryshimi i anëtarëve të këshillave të shkollave erdhi pas një kontrolli të cilin e ka bërë inspektori republikan i arsimit Xhahit Ramadani. Pas ankesës që bëri ai është marrë vendimi për t’i emëruar anëtarët e rinj”, ka thënë sot për Titullin, Arbër Pajaziti, kryeshef i Drejtoratit për Çështje Publike dhe Veprimtari Shoqërore pranë komunës së Bujanocit.
Pajaziti theksoi se “këto veprime të inspektorit republikan që vjen nga radhët e Partisë për Veprim Demokratik (PVD), sikurse edhe të kryetarit të Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH) Galip Beqirit, i cili propozoi listën me emrat e anëtarëve të PVD-së, tregojnë se KKSH është duke vepruar njëanshëm, duke mbrojtur interesat e partisë dhe jo të nxënësve dhe mësimdhënësve shqiptarë, për çka edhe është formuar”.
Kryeshefi matej theksoi se edhe nëse bëhen shkarkime të drejtorëve, udhëheqësit e ri të shkollave do të jenë për një kohë shumë të shkurt.
“Anëtarët e rinj të këshillit të shkollave kanë të drejtën për të bërë shkarkimin dhe emërimin e drejtorëve pasi vendimi i tyre është i plotfuqishëm, mirëpo unë mund të them se nëse vjen deri te ndryshimi i ndonjë drejtori atëherë mandati i drejtorit të ri do të jetë maksimum një muaj”, u shpreh Pajaziti, duke nënvizuar se këshilli është i dhunshëm, ndërsa procedurat vetëm se kanë filluar për ndryshimin e këtyre anëtarëve të emëruar nga Ministria e arsimit.
Titulli ka arritur të mësoj se anëtarët e PVD-së në këshilla të shkollave janë duke bërë përgatitjet për mbajtjen e mbledhjeve dhe shkarkimin e drejtorëve, për të emëruar drejtorë nga subjekti i tyre politik.
Vlen theksuar se në të ardhmen, duke filluar që nga janari i vitit 2014, këtë “privilegj” të zgjedhjes së drejtorëve nuk do ta ketë Këshilli i shkollës, por emërimi i drejtorëve do të bëhet nga Kuvendi Komunal./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!