Marrëveshje për targat me ngjitëse pa afat, takimi Kurti-Vuçiq i nevojshëm Vendkalimi Kosovë-Serbi- Dheu i Bardhë
Lokale

Marrëveshje për targat me ngjitëse pa afat, takimi Kurti-Vuçiq i nevojshëm

24.Apr.2022 00:20
0

Qytetarët që kalojnë kufirin me Serbinë, në mungesë të marrëveshjes për targat, do të vazhdojnë t’i mbulojnë ato me letra ngjitëse. Derisa palëve u është bërë thirrje për takime të radhës në Bruksel, për gjetjen e një zgjidhjeje, njohës të zhvillimeve vlerësojnë se është koha për takim të nivelit të lartë mes kryeministrit Albin Kurti e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuciq. E për rrjedhën e dialogut, kritika pati PDK-ja.

Gjashtë muaj diskutime nuk i kanë mjaftuar Kosovës e Serbisë për të arritur një marrëveshje për targat. Si rrjedhojë, simbolet e Kosovës dhe Serbisë në targat e veturave, do të vazhdojnë të mbulohen me letra ngjitëse, gjatë kalimit të kufirit, për një afat të pacaktuar. Në mungesë të arritjes së një zgjidhjeje, regjimi i letrave ngjitëse do të vazhdojë edhe për një kohë, por as BE-ja e a institucionet në vendet respektive, nuk kanë treguar se për çfarë periudhe bëhet fjalë. Në anën tjetër, përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë, do të vazhdojnë ditëve në vijim, me kërkesë të Bashkimit Evropian.

Të shtunën, në pikën kufitare Merdar, që lidh Kosovën me Serbinë, qytetarët deklaruan se nuk kanë zgjidhje tjetër, pos përdorimit të letrave ngjitëse dhe pritjes së arritjes së një marrëveshjeje, për të cilën disa prej tyre kanë thënë se shpresojnë që të bëhet së shpejti.

“Si çdoherë diskriminim. Çka ke me ba. Jemi shteti më i ri në Evropë, fatmirësisht a fatkeqësisht e kemi një fqinj që nuk do me korrespodu me ne, nuk mundet me e pranu realitetin edhe për atë arsye vuajmë”, ka thënë një qytetar derisa priste në kolonë.

Pas dështimit të arritjes së një marrëveshjeje për targat, njohës të procesit të dialogut, e vlerësojnë të domosdoshme mbajtjen e takimit mes krerëve të Kosovës e Serbisë. 

Sipas Artan Muhaxhirit, një takim mes kryeministrit Albin Kurti e presidentit Aleksandër Vuçiq do të “jepte një shkëndijë shprese për mundësinë e rifillimit të dialogut”. 

“Vetëm në takimet e kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq mund të ketë shpresë se mund të arrihet ndonjë marrëveshje e cila do t’u ndihmojë edhe qytetarëve, por edhe agjendës evropiane të Kosovës”, ka thënë ai për “Kosovapress”. 

Kurse, Arbër Fetahu, hulumtues në Grupin për Studime Politike dhe Juridike, vlerëson se në këtë fazë është më se e nevojshme përfshirja e ndikimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Besoj se involvimi më i madh amerikan dhe më direkt do të mund t`i ulë përsëri nivelin e lartë, fundja nuk ka zgjidhje tjetër se pa u ulur liderët politikë nuk mund të arrijmë marrëveshjen finale”, ka thënë ai “Kosovapress”, derisa ka shtuar se për një gjë të tillë kanë ndikuar zhvillimet pas luftës së Rusisë në Ukrainë. “Kërcënimi rus në Ballkan është aktiv dhe andaj, edhe SHBA-ja dhe BE-ja duhet të jenë seriozisht të përfshira në këtë fazë”, deklaroi ai.

E diskutimet për targat, sipas PDK-së, tregojnë se ka mungesë vizioni të Qeverisë Kurti për të adresuar dialogun. Nënkryetarja e Partisë Demokratike e Kosovës, Vlora Çitaku, të shtunën ka thënë se dialogu nuk duhet të reduktohet në bisedimet për targa.

“Merreni me mend, nga dialogu për njohje reciproke po flasim për targa. Kjo tregon një mungesë konsistence dhe një mungesë ideje, vizioni të Qeverisë Kurti për ta adresuar dialogun. Problemi nuk janë targat, problemi është njohja reciproke dhe aty duhet të përqendrohemi ne. Nuk guxojmë ta reduktojmë dialogun me Serbinë nga njohja reciproke politike në targa e në stickersa”, ka thënë Çitaku, të shtunën në një konferencë për media.

Afati gjashtëmujor për arritjen e një marrëveshjeje për targat ka përfunduar më 21 prill. Pas takimeve, kryenegociatorët e të dyja shteteve, ai i Kosovës, Besnik Bislimi e i Serbisë, Petar Petkoviq, ia hodhën fajin njëri-tjetrit për mosarritjen e marrëveshjes. Sipas Bislimit, marrëveshja për targa nuk është arritur për shkak të “mosgatishmërisë” së Serbisë.

“Fatkeqësisht, ka zero gatishmëri nga pala serbe për t`u dakorduar për një zgjidhje të mundshme brenda kornizave që i ka paraparë pika e tretë e marrëveshjes e 30 shtatorit”, ka deklaruar Bislimi të enjten.

Por, të kundërtën e ka thënë nga pala serbe. Sipas Petar Petkoviqit, Serbia ka treguar “fleksibilitet të lartë në kërkim të një zgjidhjeje për targat” por që siç ka thënë ai, “Prishtina ka tentuar ta ndryshojë dhe kushtëzojë marrëveshjen aktuale për targat, pa ofruar ndonjë zgjidhje konstruktive”.

Vazhdimin e diskutimeve për çështjen e targave, e ka kërkuara i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, derisa u është bërë thirrje palëve që të përmbahen nga veprimet që mund të cenojnë sigurinë.

Marrëveshja për afatin prej gjashtë muajsh e arritur në fund të shtatorit, zhbllokoi situatën në Jarinjë e Bërnjak. Në kundërshtim të vendosjes së reciprocitetit me Serbinë në përdorimin e targave, serbët duke vendosur mjete të rënda transportuese bllokuan rrugët që çojnë në pikat kufitare: Jarinjë e Bërnjak.

Sipas vendimit për reciprocitet, automjetet me targa të Serbisë me të hyrë në territorin e Kosovës është dashur të vendosin targa të përkohshme, ashtu siç kanë vepruar shoferët e automjeteve me targa të Kosovës kur e kanë kaluar kufirin për në Serbi.

Arifi: Nëse më parë "Molla e Kuqe" ka qenë në Nish, sot ai epitet i takon Preshevës!
7 këshilla nga ekspertët e krimit kibernetik për t’u mbrojtur nga hakerat në internet!
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration