Marrëveshje kuptimplotë nga dialogu Kosovë-Serbi, duhet të jetë edhe Lugina Preshevës?
Lokale

Marrëveshje kuptimplotë nga dialogu Kosovë-Serbi, duhet të jetë edhe Lugina Preshevës?

29.May.2021 14:57
0

Deputeti shqiptar në Serbi, Shaip Kamberi, në një intervistë për klankosova.tv, është shprehur se e mirëpret rifillimin e dialogut Kosovë-Serbi, duke shtuar se në agjendën e këtij procesi duhet të jetë edhe Lugina Preshevës.

“Nuk besojmë në marrëveshje kuptimplotë nëse Lugina e Preshevës dhe të drejtat e shqiptarëve do të mbeten tema të patrajtuara. Presim që qeveria në Prishtinë të insistojë në respektimin e parimit të reciprocitetit për të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës”.

Kamberi ka deklaruar se akoma nuk mund të thuhet se shqiptarët e kësaj zone kanë një trajtim adekuat nga Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë.

“Jemi në fazën e ekzistimit të vendimeve politike për hapjen e zyrës për Luginën e Preshevës nga qeveria paraprake në Prishtinë, por ajo zyrë akoma nuk është funksionalizuar. Qëndrimi i qeverisë së re nuk është i qartë rreth të ardhmes së kësaj zyre. Do të ketë ajo një program konkret? Do të përcillet edhe me buxhet adekuat për t’u përkrahur ai program?”.

Iintervista e plotë:

Cilat janë problemet më të mëdha me të cilat ballafaqohen shqiptarët në Luginën e Preshevës?

Kamberi:  Problemet janë të shumta, prej nënpërfaqësimit nëpër institucionet shtetërore, mungesës së perspektivës ekonomike, mosnjohjes së diplomave nga universitetet e Kosovës, prezencës së përhershme të forcave militare që krijojnë përshtypjen e ekzistimit të gjendjes së jashtëzakonshme – këto janë disa nga format e diskriminimit shumëvjeçar të shtetit serb, të cilit po i nënshtrohen shqiptarët.

A ka ndryshuar qasja e Qeverisë së Serbisë ndaj Luginës së Preshevës? A keni mbështetje në ndonjë fushë?

Kamberi: Edhe Qeveria Bërnabiq 2 vazhdon me qasjen e njëjtë të injorimit të kërkesave politike të shqiptarëve në Luginë të Preshevës. Edhe kjo përbërje e qeverisë qendrore në Beograd dëshmon politikën dhe qasjen diskriminuese të shtetit serb ndaj kërkesave tona. Pavarësisht se Serbia gjendet në procesin e integrimeve evropiane dhe deklarativisht shprehet se synon anëtarësimin e plotë në BE, ajo vazhdon me tretman diskriminues ndaj shqiptarëve duke i trajtuar si qytetarë të rendit të dytë.

Cila është situata me COVID-19 në Luginë të Preshevës? Sa është goditur ekonomia, si dhe a ka doza të mjaftueshme të vaksinave?

Kamberi:  Në këtë aspekt, situata është më e volitshme. Vala e rëndë e COVID-19 që kishte goditur komunat tona në fundvitin e kaluar dhe fillimin e këtij viti dhe që kishte shkaktuar edhe raste të vdekjeve të disa personave në Bujanoc e Preshevë duket se është më mirë, pasi gjatë dy javëve të fundit numri i infeksioneve po bie. Furnizimi me vaksina është i kënaqshëm dhe qytetarët kanë mundësinë e vaksinimit.

Sa ka përkrahje Lugina e Preshevës nga Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë?

Kamberi:  Akoma nuk mund të themi se kemi një trajtim adekuat nga qeveria në Prishtinë dhe ajo në Tiranë. Jemi në fazën e ekzistimit të vendimeve politike për hapjen e zyrës për Luginën e Preshevës nga qeveria paraprake në Prishtinë, por ajo zyrë akoma nuk është funksionalizuar. Qëndrimi i qeverisë së re nuk është i qartë rreth të ardhmes së kësaj zyre. Do të ketë ajo një program konkret? Do të përcillet edhe me buxhet adekuat për t’u përkrahur ai program?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nga qershori do të fillojnë bisedimet për dialogun Kosovë-Serbi. A mendoni se në ekipin negociues të Kosovës do të duhej të kishte edhe përfaqësues të Luginës së Preshevës, si dhe a jeni ftuar nga Qeveria Kurti për të biseduar për pozicionin e Luginës në dialogun Prishtinë-Beograd?

Kamberi:  Është me rëndësi të fillojnë bisedimet që duhet mirëpërgatitur. Shpresoj për një angazhim më të drejtpërdrejtë amerikan së bashku me BE-në që do të ndihmonte edhe marrëveshjen eventuale përfundimtare. Natyrisht, është me rëndësi që fundi i bisedimeve të sjellë procesin e njohjes reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, por që edhe çështja e Luginës së Preshevës të jetë pjesë e agjendës së re të bisedimeve. Nuk besojmë në marrëveshje kuptimplote nëse Lugina e Preshevës dhe të drejtat e shqiptarëve do të mbeten tema të patrajtuara. Presim që qeveria në Prishtinë të insistojë në respektimin e parimit të reciprocitetit për të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration