Malësia e Bujanocit po zbrazet pa zhurmë
Lokale

Malësia e Bujanocit po zbrazet pa zhurmë

11.Sep.2019 10:00
0

Lumi i të ikurve nga Lugina e Preshevës, përkatësisht nga Malësia e Bujanocit, nuk ka të ndalur. Në heshtje, kjo krahinë shqiptare, po mbetet pa njerëz. Vendbanime të tëra të brezit kufitar Kosovë Serbi, po thuajse janë boshatisur fare. 

Këtij lumi ikjesh iu bashkua edhe familja e Ilaz Tefik Rashitit nga Muhoci, Komuna e Bujanocit. Kjo familje katëranëtarëshe, ashtu si edhe shumë familje të tjera nga Malësia e Bujanocit, Karadaku i Preshevës dhe Komuna e Medvegjës, u larguan nga vendlindja, jo me dëshirën e tyre, por nga zori e halli, për të kërkuar një jetë më të qetë e më të mirë nëpër shtetet perëndimore.

“Ika nga vendlindja, se nuk e pata qare! Sa kisha probleme rreth sigurimit të ekzistencës familjare, m’u shtuan edhe ato të xhandarmërisë serbe. Ishte shtatori i vitit 2002, kur xhandarmëria serbe, në ora 17,oo, më arrestoi pa më kërkuar dokumentet e identifikimit, në fshatin e lindjes dhe më kanë dërguar te vendi i quajtur Kodra e Muhocit, atje ku e kanë bazën e tyre. Dy - tri herë më zbritën në fshat dhe përsëri më kthyen, duke më rrahur brutalisht deri sa e humba vetëdijen. Ata më akuzonin për pjesëmarrje në UÇPMB (ish Ushtria Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc), duke më pyetur, vazhdimisht, se ku e kemi fshehur armatimin. Jo vetëm kaq, ata veç që më maltretuan fizikisht, më dënuan edhe me 500 euro”, shprehet i shqetësuar Ilaz Rashiti. Ai, në vazhdim, thotë se e njëjta procedurë është përsëritur edhe në janar të vitit 2019, ndaj vendosi të largohet nga vendlindja dhunshëm për në Marseille të Francës.

Këtë ngjarje të hidhur të Ilaz Rashitit e kanë bërë publike medium të ndryshme lokale e nacionale si RTK.

Muhoci, vendi prej nga u largua Ilaz Rashiti, shtrihet në zonën kufitare në mes Kosovës dhe Serbisë. Ky fshat ka mbetur me pak banorë, i fundit nga vendbanimet e tjera të Malësisë së Bujanocit, të cilat më herët e përjetuan spastrimin etnik.

Nga ikjet në heshtje, po zbrazet nga banorët Muhoci, vendlindja e Ilaz Rashitit, një fshat i bukur kodrinoro-malor, e kështu po zvogëlohet edhe numri i nxënësve në Shkollën Fillore “Migjeni”, që dikur numëronte me qindra shkollarë.

Nëse kështu vazhdohet Muhoci i Ilaz Rashitit, shumë shpejt do të mbetet pa njerëz, ashtu siç mbetën dikur fshatra të tëra të Malësisë së Bujanocit, të cilat pastaj po pasivizohen nga Beogradi zyrtar, duke u shlyer qytetarët shqiptarë nga regjistrat e gjendjes civile/S.H/

Malësia e Bujanocit po zbrazet pa zhurmë
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration