Lugina e Preshevës ndan dhimbjen me familjarët e prekur nga tërmeti në Shqipëri
Tragjedia e ndodhur nga termeti në shtetin shqiptarë nuk ka lënë qytetarë pa prekur jo vetëm tek ne por në të gjithë rajonin. Aksionet për ti ardhur në ndihmë filluan menjëherë nga Kosova e nga gjithë Ballkani, ku nuk munguan edhe mesazhe solidariteti.
Nuk kanë lënë pa reaguar edhe liderët institucional dhe politikë nga Lugina e Preshevës, përveç aksioneve për ndihmë konkrete ata i kanë shprehur ngushëllime familjarëve të viktimave të prekur nga termeti që ka pasur lëkundje edhe mëngjesin e sotëm.
Kryetari i PVD-së, Shaip Kamberi: Të dhimbshme po aq edhe trishtuese pamjet të cilat sot pamë në ekranet televizive nga termeti i fuqishëm që goditi Shqipërinë, gjegjësisht rrethin e Durrësit. Termetet e mëdha sot në Shqipëri dridhën thellë zemrat e Shqiptarëve të Luginës. Në pamundësi për të ndihmuar drejtpërdrejtë në këtë tragjedi që po përjetojnë vëllezërit tanë në Shqipëri, Shqiptarët e Luginës sot janë me mendjet dhe zemrat e tyre atje. Ajo që ne sot nga Lugina mund të bëjmë, është që të lutemi që në kronikat e lajmeve të ditës mos të dëgjojmë për dhimbje më të mëdha se sa ato që i dëgjuam në mëngjesin e hershëm.Sikur që gjithmonë historikisht e tërë qenia jonë ka qenë e lidhur me çdo ngjarje në Shqipëri, kjo e sotmja pa asnjë diskutim na lidh përveç kombëtarisht, edhe njerëzisht. Andaj sot, familjarëve të viktimave u shpreh ngushëllime të thella, kurse të mbijetuarve që pësuan lëndime u uroj shërim sa më të shpejtë.
Kryetari i APN-së, Shqiprim Arifi: Jemi të trishtuar e shqetësuar me rastin e lëkundjeve të fuqishme termeti në Republikën e Shqipërisë me pasoja të rënda në jetë njerëzore si dhe dëme të shumta materiale. Komuna e Preshevës qëndron pranë vëllezërve shqiptarë ndërsa shprehim gatishmërinë tonë për ndihmë të pakursyer. Familjeve të viktimave si dhe gjithë Republikës së Shqipërisë i shprehim ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e jetëve të njerëzve ndërkaq qytetarëve të prekur nga kjo fatkeqësi natyrore urojm shërim të shpejt. Edhe në këto momente të rënda sfiduese jemi një!
Kryetarë i PD-së, Nagip Arifi: Tragjedia e mëngjesit të sotëm e shkaktuar nga tërmetet në Shqipëri ka shkaktuar dhimbje të thellë edhe në mesin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Në emër të Partisë Demokratike me seli në Bujanoc dhe në emër timin personal, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta për Ju dhe popullin shqiptar. Në këto çaste të vështira për popullin shqiptar, qytetarët shqiptarë të komunave Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë gjenden pranë familjeve të viktimave. Ndajmë me Ju dhembjen e përbashkët, dhe qëndrojmë pranë motrave dhe vëllezërve shqiptarë për t’i përballuar pasojat njerëzore, morale dhe materiale nga kjo katastrofë natyrore.
Kryetari i KKSH-së, Ragmi Mustafa: Lajmi për situatën në Shqipëri pas goditjes së tërmetit është sa trishtues po aq dhimbshëm. Në pamundësi për të ndihmuar drejtpërdrejtë në këtë tragjedi shprehi mbështetjen e solidaritetin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Lugina e Preshevës është me mendje dhe zemër me Shqipërinë. Shpreh ngushëllimet e sinqerta për familjarët e viktimave, të mbijetuarve u uroj shërim sa më të shpejtë.
Kryetari i PDSH-së, Ragmi Mustafa: I dashuri president Meta, kryeministër Rama, kryetar i opozitës Basha, me rastin e fatkeqësisë natyrore - termetit në orët e hershme të mëngjesit në Shqipëri ndajmë shqetësimin e dhimbjen bashkë me Ju. Njëkohësisht u shprehim ngushllime familjeve që humbën më të dashurit e tyre dhe shqiptarëve të lënduar u shprehim shërim sa më të shpejtë. Shqiptarët e Luginës së Preshevës janë përkrah shqiptarëve në Shqipëri.
Kryetari i LPD-së, Shqiprim Musliu: Me shpirt e zemër me familjet e prekura nga tërmeti në Shqipëri
Kryetari i LR PDSH-së, Sami Salihu: E tmerrshme të zgjohesh me një lajm të tillë!. Lutem që të mos ketë viktima!