Kuvend, kërkohet heqja e dy pikave nga PD. Pozita rrëzon propozimin
Seanca e parë që nga pushimet e katërta me radhë u majtë dje ku nuk kaloi pa debate mes pozitës dhe opozitës. Shkak ishte mungesa e materialeve ku u vu në dukje nga këshilltarët e Partisë Demokratike. Ku siç thanë ata mungonte materiali në gjuhën shqipe.
Shefi i grupit të këshilltarëve komunal të PD-së, Hajradin Hyda kërkoi që të hiqet pika e rendit të ditës 1 dhe 2 siç ishin Aprovimi i rregullores mbi punën e Kuvendit komunal të komunës së Bujanocit dhe Raporti mbi realizimin e të hyrave dhe shpenzimeve të komunës së Bujanocit për periudhën janar – qershor 2019-të.
Ndërsa shefi i grupit të këshilltarëve komunal të PVD-së, Ragmi Mustafa deklaroi se nuk është nevoja të hiqen pika një dhe dy nga rendi ditës dhe kuvendi të vazhdojë me punën. Po ashtu këshilltarët e pozitës pas afro dy orë diskutimesh rrëzuan propozimet e PD-së.
Hajredin Hyda, shef i grupit të këshilltarëve të PD-së, deklaroi se duhet të hiqet pika e dytë pasi nuk është materiali i plotë. “Kjo seancë po mbahet vetëm e vetëm se mos të kaloj afatet kohore. Tek pika e dytë kemi vetëm pasqyrën e shpenzimeve por jo edhe të hyrat. Do të thotë që na nëse duam ti shohim të hyrat e komunës në bazë të buxhetit nuk mundemi. Por ka edhe tejkalime. Pika e dytë propozojë të hiqet nga rend i ditës. Ky nuk është gabim teknik nëse vetëm një pale nuk iu është dhënë raporti do me thënë serbëve ju ka dhënë e shqiptarëve jo. Duhet ta kemi pasqyrën sepse ka tejkalime. Nuk e kemi raportin për krahasime sa kanë qenë të parapara dhe sa janë harxhuar” – deklaroi Hyda.
Ndërsa Ragmi Mustafa, shef i grupit të këshilltarëve të PVD-së tha se është material i bollshëm për të dhënë një mendim nga ana këshilltarëve. “Mendoj se nuk duhet larguar pika e parë, është mu kjo që në seancën e radhës duhet të funksiononim sipas sistemit digjital. Sepse rregullorja e rregullon vetëm pjesën e funksionimit të sistemit që është instaluar në hapësirat e Kuvendit. Kurse sa i përket pikës 2 është raport periodik. Absolutisht qoftë me të hyrat apo të dalat, në fillim të vitit ne kemi miratuar projektbuxhetin, ku janë të parapara të hyrat dhe shpenzimet. Ky është raport që e kemi aprovuar bashkërisht dhe kuvendi duhet të hec me dinamikën e paraparë. Në raportin që kemi marrë në dy gjuhë që janë dhënat me radhë, pra theksohen shpenzimet. Në raport që e kemi të gjthë janë të dhëna të mjaftueshme për ta dhënë mendimin dhe votuar për realizimin për këtë 6 mujor” – theksoi Mustafa.
Vlen të theksohet se më pas shërbimi i Kuvendit në Bujanoc i ka dorëzuar materialin e munguar në gjuhën shqipe gjatë seancës së kaluar.