Kryetarja e Preshevës fton Qeverinë të lehtësojë masat për hyrjen në Kosovë
Lokale

Kryetarja e Preshevës fton Qeverinë të lehtësojë masat për hyrjen në Kosovë

23.Jan.2022 14:41
0

Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, ka vlerësuar se masat e vendosura nga Qeveria aktuale e Kosovës për të hyrë brenda territorit, janë duke vështirësuar dukshëm lirinë e lëvizjes për qytetarët e vendit që e drejton ajo.

Sinani ka ftuar qeverinë që ta rishqyrtojë këtë vendim, pasi që sipas saj, ndryshimi i këtyre masave mund të ndikojë në lehtësimin e lirisë së lëvizjes së qytetarëve nga kjo komunë.

“Duke qenë se një pjesë jo e pakët e tyre nuk mund ta marrin dozën e tretë sepse nuk kanë kaluar mjaftueshëm muaj nga doza e dytë dhe shumë prej bashkëvendësve tanë nuk kanë mundësitë financiare për ta kryer testin RT-PCR çdo herë që e kalojnë kufirin, kjo masë po e kufizon lirinë e lëvizjes midis Komunës sonë dhe Republikës së Kosovës, ku edhe punojnë, studiojnë, shërohen, apo edhe vizitojnë reciprokisht familjarët e tyre, etj”, ka shkruar Sinani në llogarinë e saj në Facebook. “Duke qenë e vetëdijshme për gjendjen e rënduar me pandeminë COVID-19, ftoj Qeverinë e Kosovës, që ta rishqyrtojë vendimin përkatës, apo edhe ta plotësojë, drejt lehtësimit të lirisë së lëvizjes së qytetarëve të rajonit tonë”, ka përfunduar ajo.

Rishqyrtim urgjent të masave nga ana tjetër ka kërkuar zëvendësministri i Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut, Ilir Hasani. 

Me të hyrë në fuqi masat e reja në Kosovë, Hasani ka reaguar në rrjetet sociale, ku u shpreh se kufizimi i lëvizjes midis Kosovës dhe Maqedonisë Veriore nuk ka asnjë peshë momentalisht.

“Nuk arrij ta kuptoj këtë veprim të ministrit Latifi se kënd prej kujt po e mbron? Me shumë vështirësi dhe mezi e bëmë hapjen e kufirit, pas kufizimeve të para që ishin vendosur në fillim të pandemisë. Një vendim i tillë i kufizimit të lëvizjes së lirë të njerëzve tanë, kur tërë bota fillon t’i tërheq kufizimet dhe certifikatat, do reflektojë në vështirësi të panevojshme në plan ekonomik, social, shpirtëror, etj. Ministër, kolegu im Latifi, respekt si profesionist që je, por vendimin duhet ta rishqyrtosh urgjentisht”, ka shkruar Latifi në Facebook.

 

Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration