Kryetari i komunës së Bujanocit: Ky vit shkollor në kushte të pandemisë Covid-19
Kryetari i komunës së Bujanocit, Nagip Arifi ka uruar nxënësit për fillimin e vitit të ri shkollor 2020/2021.
"Ndonëse, ky vit i ri shkollor po na gjen në kushte jo shumë të mira shkaku i pandemisë Covid 19, unë aspak nuk dyshoj se mësuesit tuaj tashmë janë gati për ndryshimet e obliguara të mësimit dhe do të japin maksimumin që ju të merrni atë që meritoni", thuhet mes tjerash në deklaratën e publikuar të Arifit në facebook.
Kjo është deklarat e tij e plotë:
Të dashur nxënës!
Sot është një ditë e veçantë për ju. Është 1 shtatori, dita kur fillon rrugëtimi juaj për mësimnxënie. Ndonëse, ky vit i ri shkollor po na gjen në kushte jo shumë të mira shkaku i pandemisë Covid 19, unë aspak nuk dyshoj se mësuesit tuaj tashmë janë gati për ndryshimet e obliguara të mësimit dhe do të japin maksimumin që ju të merrni atë që meritoni. Ne, gjithashtu jemi në dispozicionin tuaj që ky vit shkollor të ecën mbarë, pa pengesa të theksuara. Uroj që mësimet që do t'i merrni në shkollë t'i ktheni në vlera për shoqërinë dhe vendin në të ardhmen. I gjithë potenciali jonë iu dedikohet arsimimit tuaj.
Të dashur mësimdhënës!
Roli juaj në mësimdhënie është i pazëvendësueshëm. Prindërit kanë besuar edukimin e fëmijëve te ju. Edhe shoqëria, gjithashtu. Besoj që pas një pauze të gjatë larg nxënësve, do të ktheheni me vullnet edhe më të madh që ta ushtroni profesionin tuaj fisnik. Qeverisja jonë do të jetë në shërbimin tuaj, që ju t'ia dilni sa më mirë dhe me sukses.
Të dashur prindër!
Fëmijët janë pasuria jonë më e madhe. Përshkak ndryshimit të mënyrës së vijimit në shkollë si pasojë e pandemisë Covid 19, ata më shumë se kurrë kanë nevojë që ju të jeni më afër tyre. Andaj, bëhuni pjesë e tyre dhe e shkollës. Bashkëpunoni dhe monitoroni punën e tyre. Të gjithë ne jemi përgjegjës dhe kemi rol të rëndësishëm në arsimimin e gjeneratave të reja dhe ndërtimin e ardhmërisë së vendit. Urime, ju priftë e mbara!
Nagip Arifi, kryetar i komunës së Bujanocit