"Kryetari i KKSh-së 100 mijë dinarë rrogë, paushalle deri në 40 mijë, opozita pa mëditje!"
Kryesia e PVD-së në mbledhjen e fundit e shqyrtoi situatën e krijuar pas zgjedhjeve për Këshillin Kombëtar të Shqiptarëve, në të cilat “Koalicioni për të drejtat e Shqiptarëve” (PVD dhe UDSh) fitoi 7, “Koalicioni i Shqiptarëve të bashkuar” (PDSh, LPD dhe RD) 5 dhe “Partia Demokratike – Nagip Arifi” (PD dhe BDL) 3 anëtarë të Kuvendit përfaqësues të Shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Situata brenda mureve të organit që ka për qëllim parësor ruajtjen e interesit të shqiptarëve që jetojnë në Serbi, në fushat kompetente, sipas PVD-së nuk është në nivelin e duhur.
Në mbledhjen e fundit që ka mbajtë ky subjekt politik, ka identifikuar shkeljet që bëhen në punën e Kuvendit të KKSh, duke mos u përfill këshilltarët e PVD-së dhe UDSh-së, që janë në opozitë, ndërsa duke u stimuluar me mjete të majme anëtaret e koalicionit udhëheqës të pesë subjekteve tjera politike, PDSh, PD, LPD, BDL, dhe RD.
“Mjerisht, pesë subjektet që kanë 8 nga 15 anëtarët e KKSh, të cilat në deklaratat verbale vazhdimisht trumbetojnë për unitet kombëtarë, deri në këto momente e kanë eliminuar krejtësisht ‘Koalicionin për të drejtat e Shqiptarëve’ edhe prej trupave punuese, përkatësisht prej komisioneve të KNSH-së”, thuhet mes tjerash në kumtesën e PVD-së, transmeton Titulli.
Kjo parti thekson se subjektet politike shqiptare, që kanë koalicion me partitë qendrore serbe për pushtet lokal në Bujanoc, nuk po i lejojnë 47 % të përfaqësuesve Shqiptarë të jenë as opozitë në KKSh.
“Për të qenë edhe më i madh absurdi, këto subjekte politike shqiptare të cilat deri në maksimum gjatë zgjedhjeve eksploatuan parullat për “Shqiptarët e bashkuar” tash për tetë përfaqësuesit e vetë kanë siguruar paushalle mujore prej 15.000 deri 40.000 dinarë, madje edhe rrogë prej 100.000 dinarë për kryetarin e ri të KKSh-së, që është edhe kryetar i Kuvendit Komunal të Bujanocit, ndërsa për shtatë përfaqësuesit e PVD-së dhe UDSh-së nuk i sigurojnë në tërësi mëditjet për pjesëmarrje në mbledhje!”, thekson Kryesia e Partisë për Veprim Demokratik.
Vlen theksuar se Kuvendi i KKSh-së ka gjithsejtë 15 anëtarë, 8 prej të cilëve i takojnë koalicionit qeverisës të pesë subjekteve, ndërsa shtatë ulëse të tjera anëtarëve nga dy subjektet opozitare.
PVD thekson se 7 anëtarët e koalicionit të saj nuk i kanë të siguruara në tërësi mëditjet, derisa 8 anëtarët që drejtojnë me KKSh-në marrin paushalle mujore prej 15 mijë dinarë.
25 deri në 40 mijë dinarë i kanë të siguruara nënkryetari i KKSh-së dhe kryetari i Këshillit Ekzekutiv, ndërsa 100 mijë dinarë kryetari aktual i Këshillit Kombëtar Shqiptar.
Në këtë situatë kryesia e PVD-së ka vendosur t’i propozoj UDSh-së që së bashku ta bojkotojnë punën në KKSh nëse brenda një afati të arsyeshëm nuk iu mundësohet përfaqësimi proporcional së paku në punën e komisioneve të KKSh-së.
“Lidhur me këtë qëndrim do të njoftohen të gjitha subjektet dhe institucionet relevante për funksionimin e KKSh-së”, thuhet ndër të tjera në kumtesë. /Titulli.com/