Kryetari i KKSH-së Galip Beqiri, uron qytetarët
Të nderuar zonja dhe zotëri, të nderuar shqiptar. Në emrin tim personal si kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar, dua t`ju uroj dhe falënderoj për një kulturë të lartë demokratike që treguan të gjithë shqiptarët në Serbi e në veçanti shqiptarët e Luginës së Preshevës në një proces elektoral për KKSh-ë.Shkruan: Galip Beqiri – Kryetar i KKSh-së
Procesi zgjedhor për KKSH-në përfundoi. Ky proces dëshmoi se ka më shumë shqiptarë se sa pretendohet nga Enti i Statistikave të Serbisë 5.806 edhe pse një dalje në nivele shumë të ulta treguan potencialin demokratik si popull. Përkundër pengesave dhe obstruksioneve nga pushtetet lokale (Preshevë, Bujanoc) me Listën e veçant zgjedhore, ku një numër i madh nuk ishin të regjistruar, mos dërgimi i ftesave për votim, ndryshimi i vendbanimeve të votuesve ishin ndër problemet e evidentuara. Andaj, dua që të falenderoj të gjithë votuesit e Koalicionit për të Drejtat e Shqiptarëve (ku isha edhe bartës i listës), por edhe votuesit e listave të tjera.
Numri i votave që mori Koalicioni për të Drejtat e Shqiptarëve (PVD-UDSH) 5.788 kundrejt 5 partive politike rivale (Në dy koalicione: Koalicioni i Shqiptarëve të Bashkuar 4.911 vota dhe Partia Demokratike Dr.Sc. Nagip Arifi 3017 vota) shpreh një mbështetje të madhe për punën dhe kontributin në këtë periudhë 4 vjeçare të hedhjes së themeleve të institucionit të vetëm shqiptarë në Serbi, të rrespektuar e kredibil si nga bashkësia ndërkombëtare, institucionet e shtetit dhe së fundmi edhe nga vetë politikanët shqiptarë që kishin kundërshtuar deri pak ditë para zgjedhjeve.
Është imperativë për këtë institucion që të përfaqësoj interesat e shqiptarëve në Arsim, Kulturë, Informim e Përdorim Zyrtar të gjuhës shqipe dhe shkrimit të saj. Këshilli Kombëtar Shqiptar për këtë kohë jo vetëm që ka qenë promotor e përfaqësues i të drejtave të shqiptarëve mbrenda sistemit por njëkohësisht ka krijuar një bashkëpunim të ngushtë me institucionet ndërkombëtare e në veçanti me institucionet e Republikës së Shqipërisë dhe Kosovës, atëher kur ka munguar mbështetja e komunës së Preshevës dhe Bujanocit ndaj këtij institucioni. Pjesëmarrja e të gjitha subjekteve politike më bënë të besoj se nuk do të jetë ky rast në të ardhmen. Guximi dhe vendosmëria në vizionin tonë për të themeluar e ndërtuar institucione të shqiptarëve më në fund edhe u përjetësua. Kjo më bënë edhe më krenar në përcaktimet tona politike e strategjike.
Shpresoj se konstituimi i formatit të ri të Këshillit Kombëtar Shqiptar, ku edhe më tej do të jap kontributin tim, do të vazhdoj rrugën e filluar për të realizuar të drejtat e shqiptarëve nga kompetencat përkatëse.
Këshillit Kombëtar Shqiptar që do të konstitutohet në ditët në vijim, i dëshiroj shumë sukses dhe i dëshiroj që sa më shpejt të realizojnë premtimet që kanë shpalosur para elektoratit.