Kryeredaktori që publikoi dokumentin për ndryshim kufijsh: Brukseli e konfirmoi se e kanë marrë nga Jansha
Kryeredaktori i gazetës sllovene Ne Cenzurirano, Primoz Cirman që publikoi ‘non-paperin’ për ndryshim kufijsh ka thënë se Brukseli e konfirmoi se e kanë marrë dokumentin e kryeministrit slloven Janez Jansha.
Cirman në një intervistë për ‘Albanian Post” , ka thënë se Brukseli nuk mund ta mohojë se e kanë marrë letrën.
“Kur lajmi shpërtheu të hënën, kolegu ynë nga gazeta “Dela” korrespondent i Brukselit, pyeti zyrën Michael dhe zyra së pari konfirmoi se e kishte marrë dokumentin që flet për shpërbërjen e Bosnjë dhe Hercegovinës, por gjysmë orë më vonë e njëjta zyrë thirri e gazetarin e Dela dhe thanë se nuk mund ta mohojnë, por as ta konfirmojnë se e kanë marrë letrën”, tha Primoz Cirman, kryeredaktor në këtë gazetë.
Cirman shprehet i pakënaqur që qeveria sllovene është bërë pjesë e këtij plani.
“Personalisht mendoj se Sllovenia nuk duhet të përfshihet, por frikësohem se tashmë veç është përfshirë dhe pasojat do të mund ti shohim në të ardhmen”.
E gjithë historia e ri-dizajnimit të kufijve në Ballkanin Perëndimor u rikthye në vëmendje kur disa media rajonale publikuan një letër me pika konkrete për ta realizuar planin e ri-rregullimit territorial.
Dokumenti shpaloste një plan për Bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Bashkimin e një pjese të madhe të Republikës Serbe të Bosnjës me territorin e Serbisë. Zgjidhjen e çështjes kombëtare të Kroacisë me dy opsione dhe krijimin e një shteti funksional boshnjak.
Për dokumentin që gjatë gjithë javës së kaluar u përfol në mediat ballkanike, kanë folur shumica e liderëve rajonal.
Meqë dokumenti ka qenë në formë jo zyrtare, prononcimet e tyre kanë ardhur të rezervuara dhe një pjesë kanë shfaqur mosbesim.
Në Kosovë nuk janë prononcuar as kryeministri Albin Kurti dhe as presidentja Vjosa Osmani. /eo/
Lexo: Plani slloven për ndryshim kufijsh në Ballkanin Perëndimor, Kosova dhe Lugina? ( dokument sekret)