Krasniqi e kërkon Luginën e Preshevës, thotë se Kosova s’bën më koncesione
S’ka kompromise të reja për Kosovën. Mund të ketë vetëm komprometime të reja për politikanët. Pjesë të tëra shqiptare kanë mbetur nën Serbi. Prandaj, ndërkombëtarët duhet ta mbështesin bashkimin e Kosovës Lindore në Kosovë. Kështu do të bëhej një korrigjim i vogël i historisë. S’ka asgjë prej zgjedhjeve të reja megjithëse nuk mund të përjashtohet ndonjë mrekulli. Njëri prej udhëheqësve të NISMA’s Socialdemokrate, Jakup Krasniqi, përgjigjet në një intervistë me shkrim për Express.
Qysh mund të lexohen kërkesat e zyrtarit amerikan në formë pyetjeje që ua drejtojë udhëheqësve të Kosovës se çfarë janë të gatshëm të japin si këmbim të një marrëveshjeje me Serbinë?
Krasniqi: Kërkesat e zyrtarit amerikan kanë dalë pas kërkesave të përsëritura të Kryetarit Thaçi për korrigjim te kufirit e këmbim territoresh etj, etj. Për ndryshe Kosovës dhe shqiptarëve nga qethjet që ua ka bërë historia ajo ka mbetur shumë e vogël. Madje në Serbi shqiptarëve u ka mbetur Shqipëria e Toplicës me vendimet e Kongresit të Berlinit të vitit 1878. Për të përmirësuar gabimet e historisë, zyrtarët perëndimorë është mirë që ta kenë parasysh variantin e fundit të Thaçit “Për t’ia bashkuar Republikës së Kosovës, Kosovën Lindore”. Ky kjo do të ishte një korrigjim i pa drejtësive historike! Vetëm kjo do ishte Marrëveshje kuptimplote dhe stabilizuese për rajonin. Vendet e Demokracive Veri-Atlantike që pa dyshim e kanë kontributin e tyre në shtetin e Kosovës, e kanë hisen e tyre në lirinë e pavarësinë e saj ashtu si e kanë edhe obligim që t’i mbrojnë vlerat e proklamuara euro-perëndimore. Dhe nuk ka vlerë më të madhe, njerëzore e demokratike sesa t’i thuhet Jo e Madhe politikave të gjenocidit serbe! Oreksin e politikave të gjenocidit nuk duhet t’i tolerojë askush në botën demokratike.Unë besoj që në SHBA e BE ka gatishmëri të madhe për t’i mbrojtur vlerat që janë flamur i kësaj bote.
Për të përmirësuar gabimet e historisë, zyrtarët perëndimorë është mirë që ta kenë parasysh variantin e fundit të Thaçit “Për t’ia bashkuar Republikës së Kosovës, Kosovën Lindore”. Ky kjo do të ishte një korrigjim i pa drejtësive historike!
Realisht, çfarë mund të japë Kosova në këmbim të një marrëveshje apo pajtimi final me Serbinë?
Krasniqi: Kosova është e vogël, tepër e vogël për të dhënë diçka që mund t’i plotësonte orekset ekspansioniste të shovinizmit serb. Ajo me Dokumentin e Ahtisarit ka dhënë shumë. Është me interes që ai Dokument Ndërkombëtar, që ka vendosur standard të ri për të drejtat e liritë e komuniteteve pakicë, të zbatohet në çdo cep të Kosovës. Askush nuk duhet ta shoh atë Dokument ndërkombëtare si një tryezë suedeze, merr çka duash e le çka nuk të duhet. Ai Dokument është vepre Drejtësisë Ndërkombëtare dhe pavarësia e Kosovës është e konfirmuar nga ajo Drejtësi (DJND-ja) më 22 korrik 2010.
Këto kërkesa të faktorit ndërkombëtar po bëhen në kohën kur udhëheqës të Shtetit kanë pranuar të flasin edhe për territor të Shtetit. A po bëhet gati edhe një kompromis i ri i Kosovës përtej asaj që ka ndodhur në Vjenë me Pakon e Ahtisaarit?
Krasniqi: Jo, nuk mund të flasim më për një kompromis të ri. Tani, nëse përfillen orekset e politikës se Beogradit, mund të ketë vetëm komprometim për politikën tonë, mbase edhe për atë perëndimore dhe rrezikim jo vetëm i asaj që është arritur në Bisedimet e Vjenës. Kosovës dhe Serbisë i duhen partneriteti dhe bashkëpunim reciprok. Ky, pa dyshim që është edhe interesi i dy vendeve e popujve tanë. Çdo politikë tjetër ose përpjekje për të ushqyer politika grabitëse në ketë pjesë të Evropës prodhon pasiguri dhe destabilitet të mëdha. Dhe si të tilla këto politika nuk i duhen askujt.
Jo, nuk mund të flasim më për një kompromis të ri. Tani, nëse përfillen orekset e politikës se Beogradit, mund të ketë vetëm komprometim për politikën tonë, mbase edhe për atë perëndimore.
Është përmendur se gjithë kjo marrëveshje po synohet të bëhet në kohën kur Qeveria e Kosovës është pakicë shqiptare dhe s’i ka as 61 numra për shkak të brishtësisë së koalicionit. Shihni ndërlidhje të qëllimshme të kësaj situate me një marrëveshje evnetuale?
Krasniqi: Mungesa e numrave është një problem në vete, por në Kosovë problemi më i madh është mungesa e gjetjes se gjuhës se duhur për të identifikuar interesin kombëtar. Marrëveshjet kërkojnë konsensus të gjerë kombëtar! Nuk ka dyshim, një pengesë e madhe në politikën tonë institucionale, është të folurit përçartë e njerëzve në krye të këtyre institucioneve.
E keni përmendur se Kryeministri do të duhet të jepte dorëheqje për shkak të keqqeverisje dhe skandaleve të njëpasnjëshme. Ishte ky paralajmërim edhe i NISMES për të shkuar në zgjedhje të reja?
Krasniqi: E kuptoj pozitën e vështirë të Kryeministrit me numrat dhe koalicionin me individët pa fuqi politike, me çka i ka dhënë përmbajtje të keqe qeverisjes, por ai nuk është problemi i vetëm në Kosovë. Çështja për të cilën folëm, shkon përtej politikave të qeverisjes. Madje shkon përtej politikave të një gjenerate!
Sa u përket zgjedhjeve, edhe mund të shkohet në zgjedhje, por në një situatë të tillë nuk besoj që zgjedhjet janë zgjidhje që i duhet vendit tonë. Mbase edhe nuk mund të përjashtohet ndonjë mrekulli!