Lokale
Konferencë shkencore për Luginën e Preshevës
Mbi 47 studiues do të marrin pjesë në aktivitetin shkencor që do të fillojë të mërkurën në Prishtinë. Në konferencë do të trajtohen të drejtat e njeriut dhe të drejtat kombëtare të shqiptarëve dhe pozita aktuale juridike e kësaj hapësire. Me këtë rast do të hapet edhe ekspozita me fotografi të materialeve nga periudha të ndryshme historike të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.
Instituti Albanologjik i Prishtinës dhe Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore e Luginës së Preshevës do të organizojnë Konferencën shkencore Presheva, Bujanoci dhe Medvegja - dje, sot dhe nesër, e cila do të mbahet më 20 dhe 21 nëntor 2013, në Institutin Albanologjik, Prishtinë.
Pjesëmarrës me kumtesa do të jenë 47 studiues nga Instituti Albanologjik dhe institucione të tjera shkencore e arsimore të Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë, Malit të Zi, por do të ketë kontribute edhe nga autorë të Preshevës, Bujanocit, Medvegjës dhe diasporës.
Në cilësinë e pjesëmarrësve mysafirë janë ftuar përfaqësues institucionesh të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës dhe përfaqësues të institucioneve të Kosovës, raporton "KultPlus".
[caption id="attachment_96592" align="aligncenter" width="600"] Presheve, dasem shqiptare[/caption]
Në konferencë do të trajtohen tërësi tematike që kanë të bëjnë me këto treva kulturore e etnike shqiptare, sikundër janë: të drejtat e njeriut dhe të drejtat kombëtare të shqiptarëve dhe pozita aktuale juridike e kësaj hapësire, aspekte gjeostrategjike, pastaj do të trajtohen tema që ndërlidhen me historinë, trashëgiminë kulturore, gjuhësinë, letërsinë, arsimimin, informimin, shëndetësinë, ekonominë, turizmin, arkitekturën, por do të ketë trajtesa për personalitete të shquara të këtyre trevave, raportet e Preshevës, Bujanocit e Medvegjës me hapësirat e tjera etnike shqiptare.
Aktiviteti shkencor do të plotësohet edhe me një ekspozitë me fotografi të materialeve nga periudha të ndryshme historike të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, si dhe nga sfera të ndryshme të trashëgimisë kulturore, e cila, gjatë kohës së mbajtjes së konferencës, do të jetë e hapur për vizitorë në hollin e Institutit Albanologjik./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!