KKSH i kërkon autoriteteve në Beograd dinamizimin e zgjidhjeve në arsimin shqip
Në mbledhjen e Këshillit Republikan për Pakicat Nacional në Beograd kërkova zgjidhje urgjente për nostrifikimin e diplomave dhe ndërprerjen e pasivizimit dhe rikuperimin e adresave gjithë atyre që i kanë humbur në kundërshtim me ligjin në fuqi.
Çështja e abuzimit me të drejtat më fundamentale të shqiptarëve të Luginës së Preshevës tashmë është pjesë e raporteve ndërkombëtare si të Parlamentit Evropian ashtu edhe Departamentit Amerikan të Shtetit. Neglizhimi dhe injorimi nuk është rruga. Hapni dialogun për “Planin 7 pikësh” me përfaqësuesit politik e institucional të shqiptarëve të Luginës, theksova në mbledhjen në të cilën morën pjesë kryeministrja Ana Bërnabiq, Ministrja për drejtat e njeriut, Minoriteteve dhe Dialog Shoqëror - Gordana Çomiq, Ministri I Arsimit, Shkencës dhe Zhvillimit Teknologjik - Branko Ruzhiq, Ministrja e Drejtësisë - Maja Popoviq, përfaqësuesit e Ministrisë së Administratës Publike dhe Qeverisjes Lokale, përfaqësuesit e 21 Këshillave Nacionale të minoriteteve.
"Gjithashtu në cilësinë e kryetarit të Këshillit Kombëtar Shqiptar kërkova dinamizimin e zgjidhjeve në arsim me tekstet mësimore, mungesën e korrektësisë në konkurset dhe mundësitë në kulturë dhe informim", thuhet në njoftimin e KKSH-së.
Pika e rendit ditës për datat e rëndësishme historike dhe simbolet kombëtare të komuniteteve mbeten të diskutohen në një mbledhje të radhës.
Ndërkaq u njoftuam se regjistrimi i popullsisë tashmë është shtyrë për tetorin e vitit 2022 me ç‘rast Këshilli Kombëtar Shqiptar ka kërkuar të jetë pjesë e këtij procesi të rëndësishëm në përcaktimin e numrit të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Shërbimi për informim i KKSH