KKSH diskuton për tekstet me drejtorët e shkollave shqipe në Luginë
Zyrtarë të Këshillit Kombëtar Shqiptarë, të udhëhequr nga nënkryetari i këtij institucion Enver Mehmeti kanë mbajtur sot mbledhje të përbashkët me drejtorë të shkollave shqipe në Luginë të Preshevës.
“Gjatë këtij takimi u diskutuan për mundësinë e koordinimit të drejtorëve të shkollave dhe KKSH rreth teksteve mësimore në gjuhën shqipe në kuadër të marrëveshjes ndërshtetërore në mes të Republikës së Shqipërisë dhe Serbisë rreth sigurimit të teksteve mësimore”, thuhet në njoftimin për media.
Këshilli Kombëtar Shqiptar njoftoi se gjithashtu u diskutua edhe për plan programet , trajnimin e mësimdhënësve në kuadër të njëjtës marrëveshje , si dhe gjetjen e mundësive për një qasje të përbashkët dhe të sinkronizuar ndaj gjendjes në përgjithësi të arsimit, dhe për temat e veçanta.
Në këtë mbledhje nuk kanë marrë pjesë të gjithë drejtorët e shkollave shqipe në Luginë të Preshevës./Titulli.com/