Kërkohet zgjerimi i masave reciproke, në Luginë përmendin njohjen e diplomave
Pas paralajmërimeve të Qeverisë se reciprociteti ndaj Serbisë mund të aplikohet edhe në fushat e tjera, ku fqinji verior paraqet pengesa, përfaqësues të Luginës kanë përmendur çështjet që duhet adresuar në dialogun e ardhshëm. Ndërkaq një debat pritet të mbahet edhe në Kuvend për barrierat e Serbisë në fushën ekonomike, me kërkesë të shoqërisë civile
Zgjerim të masave reciproke dhe trajtimin e kërkesave që kanë shqiptarët e Luginës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, kanë kërkuar përfaqësuesit politikë atje.
Mes shumë barrierave është ajo e njohjes së diplomave, çështje për të cilën ekziston një marrëveshje, por që nuk është zbatuar ende. Që nga viti 2008, të diplomuarve nga Lugina në universitetet e Kosovës dhe atyre në nivelin parauniversitar shteti serb nuk ua njeh diplomatë.
“Është domosdoshmëri e kohës që ky problem të zgjidhet një herë e përgjithmonë dhe në këto bisedime mes dy vendeve njohja e diplomave për të rinjtë shqiptarë duhet të jetë në pikën e parë të rendit të ditës dhe në agjendë prioritare të autoriteteve bashkëbiseduese dhe negociatorëve mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë”, ka thënë zëvendëskryetari i Preshevës, Ragmi Mustafa.
“Prandaj shumë të rinj janë të detyruar që ta lëshojnë Luginën dhe të lëvizin në drejtim të Kosovës dhe Shqipërisë, por shumica dërrmuese edhe në vendet perëndimore”, theksoi Mustafa.
Çështja e diplomave u ngrit në takimin mes kryeministrit Kurti, presidentit të Serbisë, Vuçiq, presidentit francez, Emmanuel Macron dhe kancelares gjermane, Angela Merkel, në margjina të Samitit në Slloveni.
“Në një takim me kancelaren Merkel, presidentin Emmanuel Macron dhe presidentin e Serbisë, ne folëm për Procesin e Berlinit; lëvizja e lirë dhe njohja e diplomave. Ne mbështesim marrëveshjet në të cilat të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor trajtohen si të barabarta dhe qytetarët janë përfituesit përfundimtarë”, ka shkruar Kurti në Twitter.
Mustafa ka përmendur edhe kërkesa të tjera në raport me Serbinë, teksa ka përsëritur kërkesën e kahershme për bashkëngjitje me Kosovën.
“Kosova të kërkojë gjithçka që Serbia kërkon për serbët në territorin e Republikës së Kosovës, pse të mos kërkohet e njëjta gjë edhe për shqiptarët në Luginë të Preshevës. Kujtoj se ky është modeli më i lehtë, arma më e fuqishme e mundshme që do të përdorej në negociata në krye me kryeministrin Kurti në bisedimet me autoritetet qendrore të Serbisë”, ka theksuar ai.
“Synimi thelbësor dhe përfundimtar duhet të jetë që këto tri komuna të jenë pjesë integrale e territorit të Kosovës. Këtë e ka thënë populli shqiptar qysh më 1992 në referendumin e organizuar më 1 dhe 2 mars, ku shqiptarët u deklaruan për autonomi territoriale me të drejtë bashkëngjitje Kosovës”.
Çështja e reciprocitetit u rikthye pas masës që Qeveria vendosi në marrëveshjen për targat, me paralajmërimin se ai do të vazhdojë edhe në çështjet e tjera.
E, një debat për këtë çështje do të mbahet në Kuvendin e Kosovës, me kërkesë të Institutit Demokratik të Kosovës (KDI). Kërkesa është adresuar në Kuvendin parlamentar për Ekonomi, e cila ka marrë mbështetjen e të gjitha subjekteve.
“Tashmë jemi të njohur me situatën ekonomike të vendit dhe barrierat dhe të gjitha sfidat me të cilat ballafaqohet ekonomia e vendit. Unë parimisht jam për me organizu një debat të tillë, me i pa sfidat, mundësitë dhe bashkëpunimin ndërinstitucional, por edhe me pa Ekzekutivin deri në çfarë niveli ka ardhur sa i përket kësaj teme, që ta kemi të njohur situatën”, ka thënë kryetari i Komisionit, Ferat Shala.
Anëtari i AAK-së, Pal Lekaj, ka folur për presionet të cilat kanë ndodhur edhe në periudhën kur qeveriste partia e tij, sa i përket dialogut me Serbinë.
“Është i domosdoshëm një debat i tillë pasi në të kaluarën kur kemi marrë vendime presioni ndërkombëtar ka qenë i madh saqë dy qeveri janë shkarkuar. Aty ku ndërhyn dikush çdoherë ka pengesa dhe presioni po ndikon në raportet me Serbinë, siç ishte me reciprocitetin”, ka potencuar Lekaj.
Koha e mbajtjes së debatit ka mbetur të caktohet pas zgjedhjeve lokale dhe pas koordinimit edhe me Qeverinë./koha/