Kamberi takon komisarin për pakica Zanier, kërkon integrim në institucione shtetërore
Komisari i Lartë për pakica Nacionale pranë Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (OSBE) Lamberto Zanier, po qëndron për vizitë në Bujanoc.
Ai është pritur në mëngjesin e sotëm në zyrën e kryetarit të komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi me të cilin është biseduar për pozitën dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginë të Preshevës, shkruan Titulli.com.
“Ambasadori Zanier u njoftua edhe për ngecjen e zgjidhjes së problemit të teksteve, nevojën për hapjen e drejtimeve të reja në Paralelen e Fakultetit në Bujanoc dhe domosdoshmërinë e angazhimit të përbashkët për krijimin e mundësive të reja për studentët e diplomuar”, ka shkruar Kamberi.
Sipas Kamberit integrimi në institucione do të ishte mundësi e mirë për angazhimin e kuadrove të diplomuar dhe do të kontribuonte në rritjen e perspektivës për të rinjtë.
Ai është shprehur edhe njëherë se status quo-a në të cilën ndodhen shqiptarët e Luginës së Preshevës kërkon zgjidhje të shpejtë dhe të drejtë.
Lamberto Zanier do të jetë prezent gjatë ditës edhe në takimin e këshillit të palëve të interesuar të fakultetit ekonomik në Bujanoc me të cilët do bisedohet për funksionimin e këtij institucioni të shkollimit të lartë./Titulli.com/