Kamberi pret që Kurti të krijojë program qeveritar në ndihmë të Luginës së Preshevës (video)
Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka thënë së organizimi i zgjedhjeve të 14 shkurtit ka dëshmuar se demokracia në Kosovë ka ecur përpara.
“U tha nga shumë përfaqësues politikë dhe përcjellës të ngjarjeve në Kosovë që ishte një nga proceset që ka mbarëvajtur më mirë. Ishte një dëshmi e një demokracie të përparuar në Kosovë dhe një përgjegjësi politike e të gjitha subjekteve politike pjesëmarrëse, sidomos atyre që u deklaruan për pranimin e rezultatit të zgjedhjeve, edhe pse rezultati nuk ishte i favorshëm për ta. Kjo është një dëshmi e rëndësishme që demokracia në Kosovë ka ecur përpara”.
Por, çfarë pret ai nga Qeveria e re e Kosovës lidhur me kërkesat dhe nevojat e shqiptarëve që jetojnë në Luginë të Preshevës?
“Tash po dihet fituesi i zgjedhjeve. Lëvizja Vetëvendosje do të jetë bartëse e procesit të ndërtimit të një qeverie të re dhe besoj që, konform deklarimeve të deritanishme dhe një standardi që në mandatin sa ishte kryeministër Albin Kurti kishte ndarë fond të veçantë për nevojat e pandemisë, do të krijojë program qeveritar që të ndihmohet Lugina e Preshevës. Kemi nevojë që çështja e Luginës së Preshevës të trajtohet në mënyrë sistematike dhe me një program shtetëror qeveritar. Një program i tillë duhet të bashkërendohet me përfaqësuesit politikë dhe institucionalë në Luginë të Preshevës”.
Kamberi, në një intervistë për Klan Kosovën, ka folur edhe për dialogun Kosovë-Serbi për të cilin fituesi i zgjedhjeve Albin Kurti tha se nuk është në mesin e top prioriteteve të tij.
Ai tha se në mesin e top prioriteteve të Kurtit duhet të jetë çështja e Luginës së Preshevës duke shtuar se pret që në procesin e dialogut me Serbinë të kërkohet që të drejtat e shqiptarëve që jetojnë atje të respektohen aq sa ato të serbëve që jetojnë në Kosovë.
“Unë besoj se çështja e dialogut nuk do të varet vetëm nga njëra anë. Është çështje që më tepër varet nga insistimi që bashkësia ndërkombëtare, më saktësisht administrata e re e Biden, do të ketë për një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Duke qenë se edhe Serbia është në një vit parazgjedhor mund të ketë prolongim të marrëveshjes përfundimtare, por nuk mund të përjashtohet mundësia që të ketë takime dhe nismë për arritjen e marrëveshjes për tema konkrete”.
“Besoj që një nga prioritetet e Qeverisë Kurti duhet të jetë çështja e Luginës së Preshevës. Është momenti i fundit që kjo temë duhet të trajtohet në mënyrë serioze në raport edhe me Serbinë dhe në raport të Qeverisë së Kosovës drejt Luginës së Preshevës në ofrimin e ndihmës së institucionalizuar. Në dialog me Serbinë duhet të ndërtohet rruga për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës konform garancave dhe standardeve që Kosova ofron për komunitetin serb”.
Kamberi ka folur edhe për letrën e presidentit të ri amerikan Joe Biden drejtuar presidentit serb Aleksandar Vuçiq në të cilën flet për një marrëveshje gjithëpërfshirëse që në qendër e ka njohjen e ndërsjellë.
“Kjo dëshmon qëndrimin e palëkundur të SHBA-së në drejtim të pjesëmarrjes, edhe më të drejtpërdrejtë, në këtë proces që do t’i japë një shtytje të veçantë procesit të dialogut. Mund të ndodhë që një letër të ngjashme ta pranojë edhe kryeministri i ardhshëm i Kosovës. Duke e parë historikun e dialogut të Kosovës dhe Serbisë dhe marrëveshjet që janë arritur me ndërmjetësimin e BE-së dhe nuk po realizohen mbetet që vetëm një insistim si SHBA-të që ta çojnë përpara këtë proces”.