Lokale
Kamberi: Leni revanshizmat, Arifi: Ju së bashku me serbët keni dashtë me më rrëzu (video)
Seanca e sotme e mbajtur me 10 pika në rend dite u eklipsua nga debatet e sërishme në mes të opozitës shqiptare dhe udhëheqësisë komunale.
Në këtë seancë të Kuvendit Komunal të Bujanocit mbizotëruan debatet rreth rendit të ditës, herë pas here duke dalë edhe nga temat e parapara për diskutim.
Debate ngjalli raporti financiarë për gjashtëmujorin e parë të këtij viti të buxhetit të komunës së Bujanocit, ndërsa u diskutua edhe për ndryshimin e rregullores së punës së Kuvendit.
Temat që u hapën dhe nxitën debat ishin ato rreth projekteve të lëna pa realizuar nga qeverisja e kaluar e të cilat po realizohen në këtë mandatë, që sipas udhëheqësisë së tanishme komunale nuk janë bërë pagesat me kohë.
Kryetari i atëhershëm i komunës së Bujanocit Shaip Kamberi, tani këshilltar nga radhët e Partisë për Veprim Demokratik, lidhur me këto projekte tha se ato kanë qenë të kontraktuara gjatë vitit 2008 dhe të cilat kanë mbet për realizim më vonë, që sipas Kamberit këto obligime kontraktuese nuk janë borxhe.
Ai foli edhe për shkollën fillore “Muharrem Kadriu” e cila nuk po hapet për nxënësit duke kërkuar nga komisioni i formuar teknik raportin e komunës për pranimin e shkollës së Tërnocit, për të parë vërejtjet që janë bërë rreth objektit.
Ai me këtë rast theksoi se persona “intrigant” në fshatin Tërnoc plasojnë dezinformata se komuna ka borxh dhe për atë arsye nuk është hapur shkolla e re e ndërtuar në lagjen e Strukarëve.
Kamberi me këtë rast ka akuzuar ish kryetarin e Kuvendit, Hajredin Hydën për përjashtimin nga puna të disa punëtorëve nga Drejtorati për Ndërtim, pasi sipas Kamberit ai ishte nënshkrues i shkresës zyrtare të drejtuar inspektorit të punës për të vërtetuar gjendjen.
Kryetari i PVD-së në Bujanoc kërkoi lënien anash të revansheve, pasi siç tha “këto revanshe politike kanë për të sjell deri te bllokimi i Drejtoratit për Ndërtim”
Pas diskutimit të Kamberit, në foltore doli edhe kryetari i Komunës Nagip Arifi, duke dhënë vërejtje që në fillim se kemi dalë nga rendit të ditës.
Ai me këtë rast duke iu përgjigjur Kamberit theksoi se subjekti i tij ka koalicion me serbët me të cilët opozita e sotme shqiptare kishte në mandatin e kaluar.
“Unë nuk kam shkuar më 1 shtator në zyrat e Paritsë Socialiste Serbe për të rrëzuar Nagip Arifin, por ju keni shkuar, pasi që Daçiqi ju ka thënë se në koalicion duhet të hyjë edhe partia juaj”, tha në foltore Arifi.
Ai matej sqaroi se me koalicionin që dikur e kishin partitë shqiptare, që tani janë opozitë, kanë dashur ta shkarkojnë atë nga pozita e zëvendës kryetarit.
Arifi foli edhe për vendimin e komisionit për pranim teknikë të shkollës së Tërnocit, për të cilën tha se do t’i dorëzohet edhe këshilltarëve, duke theksuar se duhet të bëhet pranimi teknik para se të hapet shkolla.
Duke folur për largimin e punëtorëve nga Drejtorati për Ndërtim Arifi tha se “do ta presim vendimin e plotfuqishëm të gjykatës dhe do të vie drejtori dhe do ta japë raportin e vet dhe do të shohim se ku është”.
Pikërisht për këtë problematik foli edhe ish kryetari i Kuvendit Komunal Hajredin Hyda i cili tha se largimi nga puna i këtyre punëtorëve të ndërmarrjes Drejtorati për Ndërtim është bërë pasi që janë bërë shkelje në muajin maj të vitit 2012, kur brenda 3-4 ditëve janë lëshuar vendime të përhershme për 24 punëtorë, që sipas tij kjo është për t’u evidentuar në librin Ginis.
Për dallim nga seancat e kaluara maratonike, ajo e sodit përfundoi disa minuta pas orës 14h. Me këtë rast kryetari i Kuvendit Komunal Jonuz Musliu, këshilltarëve i kumtoi pushimin njëmujor të punës së Kuvendit./Titulli.com/
http://youtu.be/xtLEL1q6V8k
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!