Kamberi Kurtit: Faleminderit për përkrahjen që ia jep Luginës!
Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, dhe ish-kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, janë takuar me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufcën të premten.
Të premten, Kamberi takoi edhe kryeministrin Albin Kurti.
Duke diskutuar për gjendjen e shqiptarëve në përgjithësi në tri komunat, Medvegjë, Preshevë e Bujanoc dhe politikave diskriminuese e shtypëse të Serbisë, Kurti tha se bashkëpunimi e rreshtimi i drejtë ndaj mbrojtjes dhe avancimit të të drejtave të shqiptarëve nuk është vetëm nevojë, por domosdoshmëri e kohës.
Kryeministri kërkoi koordinim e angazhim edhe më të madh, vendosmëri e ruajtje të unitetit politik të subjekteve shqiptare.
Sinani të enjten pati njoftuar se ishte ftuar nga kryetari i Prishtinës në hapjen e bienales “Manifesta 2022”.
Më 20 korrik, Kamberi me Sinanin po ashtu janë takuar me kreun e LDK-së, Lumir Abdixhikun, sic kanë njoftuar, për të diskutuar për gjendjen e shqiptarëve në Luginë dhe mbështetjen institucionale ndaj popullatës shqiptare atje.