Jugu i Serbisë nën ujë, Lugina jashtë rrezikut (Foto & Video)
Për shkak të reshurave të pandërprera të shiut gjatë dy ditëve të fundit, lumi Morava Jugore ka dalë nga shtrati duke shkaktuar dëme të mëdha materiale në Serbinë jugore.
Në pjesën e rrugës Momin Kamen-Vlladiçki Han-Predejan-Xhep, vërshimi ka dëmtuar pjesë të rrugës shtetërore. Lumenjtë kanë dalë nga shtrati edhe në rajonin e Vranjës, ku edhet është shpallë gjendje e jashtëzakonshme.
Sipas njoftimit të policisë në të gjitha këto lokacione nuk janë rrezikuar banorët.
Në rrethinën e komunës së Vlladiçki Hanit janë evakuuar 22 persona të cilët janë akomoduar në qendrën pranuese në shkollën fillore të këtij vendi.
Lumi i fryrë “Korbevaçka” ka marrë një pjesë të urës në fshatin Korbevac të Vranjska Banjës. Me këtë rast është ndërprerë rruga për Krivo Fej, kurse për shkak të shiut që ka rënë gjatë pjesës më të madhe të natës dhe ditës së sotme, janë rrezikuar edhe disa rrugë në rrethinën e Vranjës, Vlladiçki Hanit dhe Surdulicës, njoftojnë mediat serbe, transmeton Titulli.com.
Për dallim nga këto komuna fqinje, në Luginë të Preshevës, përkatësisht Bujanoc dhe Preshevë, përveç fryrjes së lumenjve, deri në këto momente nuk kemi vërshim apo rrezikim të popullatës.
Vlen theksuar se meteorologët për ditët në vijim parashohin mot më të ftoftë me të reshura të kohpaskohshme të shiut të intensitetit të ulët të cilat mund të pasohen edhe me të reshura të borës, sidomos në vendet me lartësi më të lartë mbidetare. /Titulli.com/
Foto & Video: RTV Vranje, OK Radio