Ju dha lamtumira e fundit Sllobodan Drashkoviqit, kryetarit të komunës së Medvegjës
Me rastin e vdekjes së papritur të kryetarit të komunës së Medvegjës Sllobodan Drashkoviq, sot (e martë) në ora 10, në sallën e Shtëpisë së Kulturës në Medvegjë është mbajtur mbledhje komemorative. Në emër të vetëqeverisjes lokale e para nga kryetari i ndjerë është përshëndetur kryetarja e Kuvendit Komunal, Natasha Filliq.“Sot jemi tubuar që t’ia japim lamtumirën e fundit më të mirit nga ne, të parit nga të barabartët, kryetarit të ndjerë, Sllobodan Drashkoviq”, tha Natasha Filliq. Duke folur për jetën dhe veprën e tij, Filliq theksoi se dëshira më e madhe e tij ka qenë të zhvillojë komunën dhe të përmirësojë jetën në atë, gjë që sipas saj nuk ka qenë e lehtë. “Ndonjëherë nuk ka hasur në mirëkuptim, ndërsa ndonjëherë ka qenë ashpër i kritikuar, vehtën nuk ka kursyer asnjëherë që të gjendet në çdo vend dhe në çfarëdo kohe nëse kjo është kërkuar nga puna apo qytetarët e tij. Ka qenë i mirë për të gjithë”, tha Filliq, raporton "Mepress"
“I dashuri Sllobë. Sot kam detyrë të pikëlluar që në emër të Qeverisë të Republikës së Serbisë, të Trupit Koordinues për komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë dhe të organeve tjera shtetërore të përshëndetem nga ti”, tha kryetari i Trupit Koordinues, Zoran Stankoviq. “Shumçka kemi kaluar bashkë. Zhvillimi ekonomik dhe stabiliteti, përmirësimi i kushteve të jetesës dhe punës për të gjithë qytetarët, ruajtja e paqes në jug të Serbisë, sigurimi i bashkëjetesës së serbëve, shqiptarëve dhe pakicave të tjera, ardhmëria e sigurtë për brezat e rinj dhe sigurimi i të drejtave të njeriut dhe të sigurisë juridike për të gjithë banorët që jetojnë në këtë pjesë të territorit të vendit tonë, kanë qenë qëllime për të cilat ke luftuar dhe detyra të përditshme që ke përmbushur çdo ditë”, ndër të tjera tha Stankoviq.
Nga kryetari Drashkoviq janë përshëndetur Zoran Antiq, prefekt i komunës së Vranjës dhe nënkryetar i konferencës së përhershme të qyteteve, Goran Petronijeviq, avokat etj. Në mbledhjen komemorative ishin prezentë ish ministri i pushtetit lokal Millan Markoviq, zëvendëskryetari i komunës së Medvegjës, Florim Sahiti, zëvendëskryetari i Kuvendit Komunal, Fehmi Beha, bashkëpunëtorë të tij, përfaqësuses të mediave, institucioneve lokale dhe shtetërore.
Sllobodan Drashkoviq është varrosur sot në varrezat e fshatit të tij të lindjes në Vrapcë. /Titulli.com/