Insistimi njëvjeçar i Thaçit në korrigjimin e kufijve dhe bashkimit të Luginës me Kosovën
Ideja e presidentit Hashim Thaçi për korrigjim të kufirit me Serbinë qe shpërfaqur në opinion një muaj pasi kishte nisur faza finale e negociatave. Derisa përfaqësuesit e shqiptarëve të Kosovës Lindore mbeten të bindur se do të jetësohet ideja e bashkimit të Luginës me Kosovën, njohësit e çështjeve politike konsiderojnë se deklarimet për lëvizje kufijsh u hapin rrugë kompromiseve të dhimbshme për Kosovën, shkruan sot gazeta "Zëri".
Këtë fillimjavë, më 24 qershor, është bërë një vit prejse ka nisur zyrtarisht etapa përmbyllëse e dialogut Kosovë - Serbi. Menjëherë pas kësaj presidenti i Kosovës Hashim Thaçi pati plasuar në publik idenë e korrigjimit të kufirit me Serbinë, respektivisht opsionin e bashkimit të Luginës së Preshevës me Kosovën.
Përgjatë këtyre muajve kreu i shtetit është zotuar në vazhdimësi se Presheva, Medvegja e Bujanoci do t’i bashkohen Republikës së Kosovës. Por ka pasur edhe raste të atilla kur për një kohë të caktuar i pari i shtetit ka qëndruar krejtësisht i heshtur në këtë drejtim, duke mos përmendur fare çështjen e korrigjimit. Megjithëkëtë, në fillim të kësaj jave Thaçi ka rikthyer në skenë sërish idenë për lëvizje të kufijve.