Zjarri ia morri shtëpinë, kërkojnë ndihmën e institucioneve dhe qytetarëve (foto & video)
Familja shtatë anëtarëshe nga Bujanoc sot për shkak të zjarrit që kaploi shtëpinë e tyre ka mbetur pa kulm mbi kokë. Ata bëjnë apel për ndihmë pasi tani kanë mbetur vetëm me dy shtretërit e shpëtuar dhe me rrobat e tyre në trup.
Vendi i solidarizimit sot e ka një adresë tjetër, ajo gjendet në familjen Musliu. Është një rast që kalon kufijtë e solidarizimit të thjeshtë.
Familja shtatë anëtarëshe sot brenda pesë minutave e kanë humbur shtëpinë. Zjarri i pamëshirshëm ka lënë familjen Musliu në oborr nën qiellin e hapur.
“Tash nuk kemi ku me banu”, u shpreh për Titullin kryefamiljari Jakup Musliu, i cili matej theksoi se në këtë shtëpi tre dhomëshe jetonte me shtatë anëtarët e familjes, përfshirë edhe gruan e sëmurë për disa vite nga kanceri.
Në pyetjen se çfarë kanë arritur të shpëtojnë nga shtëpia, kryefamiljari përgjigjet se vetëm rrobat që i kanë pas në trup.
Ndërkohë që fqinjët dhe të afërmit solidarizoheshin me familjen Musliu, Titulli ka kontaktuar edhe me drejtorin e Qendrës për Punë Sociale, Njazi Ahmetin , i cili ka thënë se kësaj familje i ka ndarë një ndihmë emergjente prej 10 mijë dinarësh, përderisa ka formuar ekip special për t’i dalë në ndihmë kësaj familje.
“Do të japim asistencë sociale për të gjithë anëtarët e familjes, duke ndarë mjetet maksimale të mundshme, pasi kjo familja ka mbet në rrugë”, u shpreh Ahmeti.
Nga ana tjetër familja e cila tragjedinë e sotme për fat të mirë e kaloi vetëm me dëme materiale, kishte aplikuar për ndërtimin e një shtëpie të re në aksionin “100 shtëpi për Luginën” të Fondit Humanitar të Kosovës Lindore me seli në Zvicër. Ata në fazën e parë nuk kishin arritur të përzgjidhen.
Gazetarët e portalit informativ Titulli u larguan nga familja Musliu duke lënë kryefamiljarët në oborrin e pronës së tyre, pa shtëpi dhe me lot në sy./Titulli.com/
Shkrimet për sensibilizimin e opinionit të gjerë me situatën e rëndë që mbretëron në familjet e Luginës, gjatë muajit të Ramazanit realizohen me vetiniciativën e portalit informativ Titulli. Personat që dëshirojnë të ndihmojnë familjen Musliu mund të kontaktojnë me kryefamiljarin në këtë numër telefoni: + 381 63 87 84 579
**************************************************************************************************************************************************
Flakët gllabërojnë shtëpinë në Bujanoc
Në rrugën e Kosovës në Bujanoc nga arsye ende të panjohura një shtëpi është djegur duke lënë pas dëme të mëdha materiale.
Kryefamiljari Jakup Musliu me shtatë anëtarët e tjerë të familjes kanë arritur të shpëtojnë vetëm disa sende, përderisa pjesa më e madhe e orendive së bashku më shtëpinë janë përfshirë nga flakët.
Siç kanë thënë familjarët, fatmirësisht të gjithë anëtarët e familjes kanë shpëtuar. Në ndihmë për shuarjen e zjarrit i kanë dalë njësia e zjarrfikësve nga Bujanoci, e cila më pas ka ftuar për përforcime edhe njësinë nga Vranja.
“Njësia jonë ka reaguar e para me dy autobotë, dhe më pas kemi ftuar edhe njësinë nga Vranja”, i ka thënë Titullit kujdestari në njësinë e zjarrfikësve në Bujanoc.
Në bazë të informacioneve të marra në shtëpinë e shëndetit, një anëtar i kësaj familje ka marrë plagë të lehta me çrast i është dhënë ndihma në këtë institucion shëndetësorë.
Sipas dëshmitarëve okular ngjarja thuhet të ketë ndodhë në orët e mëngjesit, ndërsa deri në këto momente shkaqet e nxitjes së zjarrit nuk dihen.
Vlen theksuar se familja në fjalë që përjetoi këtë tragjedi jeton në kushte të rënda ekonomike./Titulli.com/