Lokale
Zhvillimi ekonomik, jetik për komunën e Medvegjës
Zëvendëskryetari i komunës së Medvegjës Florim Sahiti sot në zyrën e tij ka pranuar delegacionin e shoqatës humanitare “Medvegja” nga Zvicra të udhëhequr nga sekretari, Fadil Selmani. Në takim në të cilin ishin prezentë edhe kryetari i degës së Partisë për Veprim Demokratik në Medvegjë, Fehmi Beha dhe përfaqësuesi i Unionit Demokratik Shqiptar për Medvegjë, Rexhep Abazi është diskutuar për organizimin e manifestimeve tradicionale të shqiptarëve në Medvegjë dhe për mundësinë e mbështetjes së projekteve për zhvillim lokal ekonomik në të ardhmen.
Komuna e Medvegjës me buxhet të vitit 2014 ka paraparë 400 mijë dinarë mjete financiare për organizimin e dy manifestimeve tradicionale: “Takimet e vendlindjes” dhe “Takimet me diasporën”, ndërsa shoqata “Medvegja” do të mbështesë këto manifestime duke ofruar përvojën e tyre në organizim për çka edhe do të sigurojë një ekip prej 5 apo 6 anëtarësh.
Sipas kryetarit të shoqatës “Medvegja” për organizimin e manifestimeve tradicionale do të ndiqet koncepti i cili është dëshmuar si i suksesshëm në Zvicër, ndërsa sa i përket mbështetjes së projekteve për zhvillim lokal ekonomik në të ardhmen, fokusi do të jetë në zhvillimin e bujqësisë dhe fushave të tjera ku komuna e Medvegjës ka potenciale të përshtatshme për zhvillim.
Në takim, ndër të tjera është diskutuar edhe për situatën aktuale politike dhe demografike në komunën e Medvegjës.
Zëvendëskryetari i komunës së Medvegjës, Florim Sahiti ka theksuar rëndësinë e organizimit të shqiptarëve të Medvegjës për regjistrimin e paralajmëruar të popullsisë enkas për komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë që pritet të mbahet brenda këtij viti apo brenda vitit të ardhshëm.
Ai ka propozuar që të punohet në drejtim të gjetjes së donatorëve për krijimin e një fondi për të mbështetur mobilizimin e popullatës shqiptare për regjistrim.
“Ju rikujtojmë se popullata shqiptare në komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë gjeneralisht ka bojkotuar regjistrimin e popullsisë në vitin 2011, ndërsa autoritetet shtetërore dhe ato ndërkombëtare insistojnë në përsëritjen e regjistrimit ku do të përfshihen edhe shqiptarët. Shqiptarët duhet të mobilizohen me qëllim që të sigurojnë së paku 15% në strukturën e popullsisë, për të siguruar privilegje të caktuara ligjore që u takojnë pakicave kombëtare në kuptim të dygjuhësisë, punësimit etj”, tha Sahiti.
Përfaqësuesi i Unionit Demokratik Shqiptar për Medvegjë, Rexhep Abazi ka theksuar nevojën e futjes në funksion të të gjitha resurseve të Medvegjës, natyrore e humane për të mirën e komunës. “Unë lus shqiptarët e Medvegjës që gjërat e përbashkëta t’i punojmë bashkë. Nëse i punojmë bashkë ato për ne do të jenë më të mëdha. Do të angazhohemi të punojmë bashkë pa rezervë dhe mendoj se aty janë rezultatet”, tha Abazi.
Kryetari i degës së Partisë për Veprim Demokratik në Medvegjë, Fehmi Beha ka theksuar nevojën e urgjencës së veprimit në planin afatshkurtër.
Sipas tij, plani afatshkurtër duhet të ketë në fokus parandalimin e shpërnguljes së mëtejme të popullatës shqiptare nga Medvegja. “Politika nuk mund t’i parandalojë qytetarët që të shpërngulen, vetëm ekonomia mund ta bëjë këtë”, tha Beha.
Në takim po ashtu është konstatuar se hapja e pikë kalimeve me Kosovën do të shkonte në favor të zhvillimit ekonomik të komunës.
Për këtë qëllim kabineti i zëvendëskryetarit të komunës së Medvegjës në krye me Florim Sahiti u ka dërguar shkresa zyrtare Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Serbisë për hapjen e vendkalimeve në Mutivodë dhe Kapi për qarkullim të lirë të mallrave. Nga kabineti i zëvendëskryetarit Sahiti mësohet se kontaktet dhe kërkesat do të vazhdojnë deri në realizim të plotë të këtij qëllimi. /F.K./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!