Vështrime
Vëmendja ndaj Luginës po rritet në të gjitha nivelet politike shqiptare dhe evropiane
Në territorin e Preshevës, Bujanocit dhe Medvejgës të banura me shqiptarët etnik para dy-tri dekadave jetonin rreth 100.000 shqiptarë, të shtrirë në 67 fshatra dhe në tri qendra urbane. Jo vetëm në komunën e Medvegjës, por edhe në dy komunat e tjera, në Preshevë e Bujanoc, këto dy dhjetëvjetëshat e fundit komponenti numerik dhe reproduktiv-biologjik i shqiptarëve gjithnjë po tëhollohet përmes shpërnguljes, ndërsa shkaqet kryesore janë presionet policore-ushtarake, politike dhe ekonomike.
Shrkuan: Porf.dr.Hivzi ISLAMI, demograf;
[caption id="attachment_58296" align="alignleft" width="300"] Porf.dr.Hivzi ISLAMI, demograf;[/caption]
Lugina e Preshevës, siç e quajtën amerikanët në vitin 2001, që u përqafua si emërtim nga shqiptarët dhe të huajt, ose Kosova Lindore apo tri komunat në jug të Serbisë (Presheva, Bujanoci dhe Medvegja), shtrihet në rreth 1.250 km katrorë. Shqiptarët këtu sot jetojnë në një numër relativisht të madh dhe kanë një shtrirje territorialisht kompakte, por me një shkëputje, meqë komuna e Medvegjes lidhet me rajonin e Gallapit në Kosovë. Komuna e Preshevës sot hyn në radhën e komunave më homogjene kombëtare, sepse mbi 95% të popullsisë së gjithmbarshme janë shqiptarë, ndërsa në komunën e Bujanocit shqiptarët përbëjnë rreth 65% të popullsisë; të tjerët janë serbë dhe romë. Ndërkaq, në komunën e Medvegjës, për shkak të shpërnguljeve, së pari të qeta, pastaj intensive, numri i shqiptarëve gjithnjë po zvogëlohet dhe atasot përbëjnë një përqindje të vogël, gati simbolike; në numër absolut atje sot kanë mbetur të jetojnë vetëm afër 500 veta nga rreth 6.000 sa kishte sipas regjistrimit të vitit 1981.
Si popullatë rezidenciale në këtë territor para dy-tri dekadave jetonin rreth 100.000 shqiptarë, të shtrirë në 67 fshatra dhe në tri qendra urbane. Jo vetëm në komunën e Medvegjës, por edhe në dy komunat e tjera, në Preshevë e Bujanoc, këto dy dhjetëvjetëshat e fundit komponenti numerik dhe reproduktiv-biologjik i shqiptarëve gjithnjë po tëhollohet përmes shpërnguljes, ndërsa shkaqet kryesore janë presionet policore-ushtarake, politike dhe ekonomike. Indikatorët më të qartë për këtë tendencë të regresit demografik janë rënia e shkallës së lindshmërisë dhe zvogëlimi i vazhdueshëm i numrit të paraleleve dhe të nxënësve në klasën e parë të shkollës fillore në të gjitha vendbanimet e Luginës së Preshevës. Lugina është 7-8 herë më e pazhvilluar se mesatarja e Serbisë dhe popullata shqiptare kryesisht jeton nga bujqësia dhe nga remitancat që i sjellin bashkatdhetarët që punojnë në botën e jashtme.
Për shkak të pozitës gjeopolitike dhe gjeostrategjike dhe arterieve të rëndësishme gjeokomunikative (hekurudha ekziston që nga viti 1874 dhe autostrada që nga viti 1962 si vija ndërkombëtare), Lugina e Preshevës u bë pjesë e apetiteve dhe interesave të të mëdhenjve, perandorive të ndryshme, por në radhë të parë e interesave të Serbisë nga pjesa e dytë e shekullit XIX e këndej. I kujtojmë idetë e kahmotshme të Serbisë për daljen në det, ëndrrën dhe kërkesën e J. Cvijiqit, ithtarit kryesor të daljes në detin Adriatik dhe në detin Egje, duke imituar I. Garashaninin, por edhe interesimin dhe të kompanive të huaja, para së gjithash të atyre franceze nga fillimi i viteve të 60-ta të shek. XIX për mundësinë e zhvillimit të komunikacionit lumor në luginën e Moravës.
Pretendimi megaloman i Serbisë që dy luginat, e Moravës dhe e Vardarit, të bëheshin të lundrueshme përmes një sistemi të komplikuar dhe shumë të shtrenjtë të lundrimit, duke kaluar madje edhe pengesën jo të vogël relievore, kërrusjen midis Preshevës dhe Kumanovës (460 m lartësi mbidetare), nuk ka dyshim se ishte dhe mbeti një absurd! Cvijiqi kishte përpunuar edhe idenë për daljen e Serbisë në detin Adriatik përmes ndërtimit të një hekurudhe, e cila duhej të kalonte nëpër luginën e Drinit. Këto apetite të Serbisë i përmendi tash së fundi edhe presidenti aktual i Serbisë, Nikoliq. Kjo aspiratë, historike dhe aktuale, e Serbisë e vështirëson shumë zgjidhjen e çështjes së Luginës së Preshevës në kontekstin e kërkesës së shqiptarëve për shkëmbim territoresh dhe bashkim me Kosovën. Disa zëra të herëpashershëm të zyrtarëve serbë, përfshirë kryeministrin aktual Daçiq, për këmbim territoresh (Lugina t’i jepet Kosovës, ndërsa Veriu i Kosovës t’i bashkëngjitet Serbisë) janë vetëm një lojë politike dhe një cinizëm. Por edhe nëse ka diçka të vërtetë, këtë kërkesë duhet kuptuar si këmbim të disa fshatrave të Karadakut në komunën e Preshevës dhe të Bujanocit, gati të shpopulluara, por jo edhe të territorit ku kalojnë arteriet kryesore – hekurudha dhe autostrada, me veriun e Kosovës, që është shumë i pasur me resurse natyrore. Në këtë pikë ka edhe zëra të disa politikanëve e deputetëve shqiptarë të Kosovës të cilët, për interesa individuale apo partiake, drejpërdrejt ose tërthortë, mendojnë si politikanët serbë! Një fakt tjetër, që ia shton rëndësinë Luginës dhe i rritë edhe më shumë interesat e të tjerëve rreth saj, veçanërisht të Serbisë, është se mes për mes Luginës së Preshevës tash kalon edhe korridori X i autostradës ndërkombëtare Beograd–Shkup–Selanik, si arterie kryesore në Ballkan, që lidh Evropën Qendrore me atë Jugore.
Para dy-tri dekadave në Luginë jetonin rreth 100.000 shqiptarë, të shtrirë në 67 fshatra dhe në tri qendra urbane: Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë
Siç na është e njohur, ndarjet e territorit etnodemografik të shqiptarëve deri në ditët tona, kanë qenë të imponuara e të dhunshme dhe të shoqëruara me tragjedi të mëdha në rrafshin kombëtar, politik, ekonomik, social, familjar etj. Hapësirat shqiptare të tri komunave: Medvegjë, Bujanoc e Preshevë bëjnë pjesë në tërësitë e mëdha etnogjeografike ku përfshihen edhe rajonet e Gallapit dhe të Karadakut, e bashkë me to të tërë Kosovës të lidhura pashkëputshëm me Luginën e Komanovës-Shkupit dhe zonën e Karadakut që sot ndodhet në Maqedoni. Jo rastësisht Lugina e Preshevës dhe shqiptarët e atjeshëm në kohën e Perandorisë Osmane, deri në vitin 1912 ishin pjesë përbërëse dhe e pashkëputshme e Vilajetit të Kosovës, ndërsa pas vitit 1919 në Mbretërinë SKS bënin pjesë në Banovinën e Vardarit. Pas Luftës II Botërore, ky territor sërish në pikëpamje administrative-politike mbeti jashtë Kosovës dhe hapësirës së pakëputur etnike. Megjithatë, shqiptarët e këtij rajoni ishin dhe mbetën në shumë rrafshe pjesë përbërëse e një tërësie me popullatën shqiptare të Kosovës dhe të Maqedonisë, duke marrë pjesë aktive në të gjitha rrjedhat dhe lëvizjet kombëtare e çlirimtare të atëhershme e të mëvonshme, përfshirë dhjetëvjetëshin e fundit të shekullit XX dhe fillimin e shekullit XXI, kur e ndihmuan materialisht dhe me luftëtarë Lëvizjen për liri e pavarësi dhe UÇK-në (1998-1999), luftën çlirimtare të shqiptarëve në Maqedoni (2001) dhe të vetë UÇPMB-së në Luginën e Preshevës (2000).
Lugina e Preshevës shumë pak është studiuar. Ajo është hulumtuar kryesisht në kuadër të regjioneve më të mëdha, si të Anamoravës, Pçinjës, Kumanovës etj. dhe atë vetëm nga autorët serbë. Studimet janë të mangëta edhe për faktin se ajo asnjëhërë nuk është trajtuar në mënyrë të gjithanshme e komplekse, por janë bërë vetëm hulumtime të pjesërishme si në rrafshin fiziko-gjeografik, ashtu edhe në aspektin socioekonomik dhe demografik. Mungonin studimet nga ana e autorëve shqiptarë. Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës që moti ishte e interesuar për ta nxjerrë në dritë një botim të plotë shkencor për Luginën, por nuk e kishte autorin. U gjet një studiues i ri, serioz dhe perspektiv në shkencë, autori i studimit, që po e përurojmë sot, dr. Arsim Ejupi, i lindur dhe i lidhur me Luginën, i cili punon në Universitetin e Prishtinës, por jeton atje. Ai e bëri diplomën, masterin e shkencave dhe disertacionin e doktoratës për problemet konkrete të këtij territori. Deri tash ka botuar disa studime dhe artikuj në Kosovë, në rajon dhe më gjerë për Luginën e Preshevës dhe për çështjet e ndryshme teorike në rrafshin e shkencave gjeoetnike dhe gjeohapësinore, që tregojnë origjinalitetin dhe citohen dhe në nivel jashtëkombëtar.
Autori në analizën e tij shkencore vë në pah se problemi i Luginës së Preshëvës dhe i shqiptarëve të atjeshëm ekziston gjatë kohë. Territori ishte si çështje “e ngrirë”, si zonë krize, me tensione latente, por në pika të caktuara kohore dhe me tensione të hapura politike, etnike, konfesionale etj. Duhej vetëm një shkëndijë që të eksplodojë dhe kjo ndodhi para disa muajve me një lapidar; kontesti rreth tij në një shkallë e ndërkombëtarizoi Luginën, por në dimensionet kyçe çështja nuk u çua deri në fund. Çështja nuk gjeti mbështetje të duhur nga autoritetet e Kosovës dhe të Shqipërisë, as politike, as diplomatike e as financiare.
Nuk ka demokraci as stabilitet në rajon me serbë (Kosovë) të privilegjuar dhe shqiptarë (serbi) të diskrimunuar !
Në takimet e Vjenës, ku u vunë suazat bazë për zhvillimet e mëvonshme, kërkesat e popullatës shumicë të hapësirave përkatëse në Kosovë as që u shtruan nga ana e liderëve shqiptarë të Kosovës, e aq më pak ato të shqiptarëve të Luginës së Preshevës! Në asnjë rast nuk u përmend as emri i Luginës së Preshevës, as i shqiptarëve që jetojnë atje! Edhe sot kjo Luginë vazhdon të mos trajtohet si çështje ndërkombëtare, madje as e barabartë me Veriun e Kosovës. Faktori ndërkombëtar, në saje të heshtjes së shqiptarëve dhe të realitetit në terren, Luginën e Preshevës e trajton si “çështje të brendshme të Serbisë” dhe nën juridiksionin e saj, ndërsa veriun e Kosovës nuk e konsideron si “çështje të brendshme të Kosovës” dhe të rendit kushtetues të saj! Institucionet qendrore të Kosovës nuk e kontrollojnë pjesën veriore të saj, ndërsa institucionet e Serbisë funksionojnë efektivisht atje!
Edhe në takimet e Brukselit midis kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë në muajt e parë të vitit 2013, me ndërmjetësimin e baroneshës C. Ashton, Lugina e Preshevës mbeti jashtë çdo bisedimi dhe reciprociteti me Serbinë. Në bisedimet në Vjenë dhe në Bruksel pashmangshëm duhej të shtrohej çështja e shqiptarëve të kësaj Luginë nëse jo për zgjidhjen e problemeve të tyre, bile për ta shfrytëzuar si argument për t’i relativizuar dhe amortizuar kërkesat e autoriteteve të Beogradit për privilegjet e serbëve në Kosovë, përfshirë krijimin e Asociacionit apo Bashkësisë së komunave serbe, me kompetenca që si duket shpiejnë drejt invalidizimit të tërësisë territoriale të Kosovës dhe lëndimit të rëndë të funksionimit të shtetësisë së saj! “Asociacioni i Komunave do të funksionojë nën dy ombrella ligjore”, të Kosovës dhe të Serbisë, bëjnë të ditur instancat relevante ndërkombëtare!
Nga argumentimi në studimin e dr. Arsim Ejupit del se më të sakrifikuarit janë bërë shqiptarët e Luginës: pa lidhje komunikimi madje as në rrafshin kulturor me Kosovën. Janë pamundësuar rrethanat që t’i realizojnë të drejtat e tyre njerëzore e kombëtare, shoqërore, politike-shtetformuese dhe ekonomike brenda Serbisë. Nuk mund t’i zgjidhin as problemet elementare jetësore, sepse, përveç tjerash, kufijtë janë bërë pengesë: duke qenë nën juridiksionin e Serbisë, kufijtë e kontrolluar me Maqedoninë, me Bullgarinë (përmes Serbisë) dhe me Kosovën po e pengojnë seriozisht funksionimin e jetës ekonomike. Ka mbetur pa u kthyer një numër i madh i shqiptarëve në shtëpitë e tyre pas konfliktit të armatosur në vitin 2000; vendbanimet e komunës së Medvegjës dhe të pjesës së Karadakut të Preshevës dhe Bujanocit gati janë braktisur nga shqiptarët, duke i lënë pronat e tyre të paluajtshme. Në anën tjetër, presioni ushtarako-policor është rritur: pas ndjekjes së forcave ushtarake serbe nga Kosova, koncentrimi i tyre është bërë pikërisht në territorin e Luginës së Preshevës, kryesisht në rripin kufitar me Kosovën.
Por të gjitha këto dhe çështje të tjera do të duhej të shtroheshin në Vjenë dhe më vonë në Bruksel nga autoritetet kosovare. Për avancimin e pozitës së gjithmbarshme të shqiptarëve të Luginës së Preshevës produktive janë vetëm angazhimet konkrete, të prekshme, të Kosovës, të Shqipërisë dhe të faktorit ndërkombëtar, por në nivelet e tyre relevante vendimarrëse. Një hap i tillë politik ndoshta do të duhej të konsiderohej debati në Kuvendin e Kosovës për Luginën, i inicuar më tepër për përfitime politike të individëve dhe grupeve të caktuara. Por edhe ai përfundoi vetëm më një rezolutë, e cila duket se do të ketë fatin e rezolutave të tjera të nxjerra në këtë Kuvend. Nga ana tjetër, edhe faktori politik shqiptar i Luginës së Preshevës është jounik dhe plotësisht konfuz sa i përket kërkesave dhe zgjidhjes së çështjes së shqiptarëve të atjeshëm. Në luftë për pushtet, pa pasur as potencial votues, shqiptarët atje janë copëtuar në disa grupacione e parti politike, duke lënë anash interesin e territorit, të kauzës kombëtare dhe të qytetarit. Me një sjellje joracionale dhe jopragmatike ndaj këtyre çështjeve, ata sot gjenden në pozita krejtësisht të pakuptimta, ku varësisht nga rrethanat, pikat kohore konjukturale, një grup deklarohet për bashkim me Shqipërinë, tjetri për bashkim me Kosovën, grupi i tretë ia dorëzon tinëzisht pushtetin lokal partisë së Daçiqit, grupi i katërt mbetet i hutuar etj. Në këto sjellje të krerëve vendorë shqiptarë, mjerisht kanë gisht edhe disa politikanë të Kosovës!
Publikimi, që kapë një vëllim prej 350 faqesh, përfshinë disa pjesë problemore, të cilat janë reciprokisht të lidhura dhe përbëjnë një tërësi unike. Pas një parathënie dhe shqyrtimeve hyrëse dhe paraqitjes së çështjes së hulumtimit, qëllimit dhe qasjeve metodologjike të hulumtimit, si dhe prezantimit të problemit, tema është ndërtuar në nëntë pjesë, secila me shumë kaptina e nënkaptina. Në fund pasojnë konkluzionet, një rezyme në gjuhën angleze, literatura dhe burimet dhe indeksi i emrave.
Studimi i dr. Arsim Ejupit, me një përmbajtje komplekse gjeohapësinore e gjepolitike dhe qasje teoriko-metodologjike dhe empirike hartohet për herë të parë dhe si botim vjen në kohën më të duhur, kur vëmendja ndaj çështjes së Luginës po rritet në të gjitha nivelet e zhvillimeve politike shqiptare dhe evropiane. Në aspektin teorik shquhet për trajtimin e koncepteve të reja, për zbatimin e parimeve dhe metodave bashkëkohore të diferencimit territorial, të rajonizimit gjeografik, aplikimit të metodave të reja për zhvillimin e planifikuar dhe shfrytëzimin racional të hapësirës, pastaj për rëndësinë gjeopolitike dhe gjeostrategjike të territorit-korridor dhe për implikimet gjeopolitike në nivel vendor, rajonal dhe ndërkombëtar. Përveç rolit shkencor, botimi ka edhe një rëndësi praktike, sepse shqyrtimi i problematikës komplekse mbi bazën e argumenteve shkencore i ofron faktorit politik shqiptar, vendor dhe më gjerë, autoriteteve të Kosovës dhe të Shqipërisë, që të kërkojnë dhe të insistojnë në të drejtën e Luginës së Preshevës për subjektivitet politik në vehte. Në anën tjetër, studimi me rezultatet që ofron shërben si bazë solide për planifikimin hapësinor, rajonal dhe shoqëror dhe për përpilimin e strategjive dhe politikave zhvillimore ekonomike e më gjerë.
Në saje të punës intensive disavjeçare shkencore-hulumtuese të autorit pa dyshim se në këtë publikim janë arritur rezultate origjinale, shkencërisht të qëndrueshme, që gjithsesi do të hapin perspektiva për brezat e rinj studiuesish për të ndërmarrë në të ardhmen hulumtime edhe më të gjera. Për nga rezultatet e arritura dhe qasja metodologjike e problematikës së studiuar, ky botim i përket studimeve të tipit bashkëkohor në gjeoshkenca dhe më gjerë dhe si i tillë do të kontribuojë edhe në zgjerimin e dijeve në gjithë fushat e gjeoshkencave dhe disiplinave të afërme.
Si studim kompleks gjeohapësinor, me karakter shumëdisiplinar, me të dhënat dhe faktet që sjell dhe konkluzionet shkencore që përmban, ai pa dyshim do të shërbejë si burim informacioni dhe reference për jetën dhe problemet në tërë kompleksitetin e tyre dje, sot dhe nesër në Luginën e Preshevës. Për të gjithë ata që interesohen për këtë territor dhe për atë popullatë, çfarë janë studiuesit, bota akademike, qeverisja komunale, faktori politik dhe institucionet shoqërore, planerët, organizatat e ndryshme joqeveritare, investitorët, vizitorët etj., ky botim është i mirëseardhur dhe i mirëpritur për bibliotekat e çdo familjeje shqiptare dhe për secilin hulumtues e lexues shqiptar të kësaj krahine dhe më gjerë.
Autori Porf.dr.Hivzi Islami, është demograf, profesor e akademik, lindi në Letovicë të Bujanocit më 1946. Shkollën fillore e mbaroi në vendlindje, gjimnazin “Skenderbeu” në Preshevë (1965) sot kryetar i Akademin e Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!